Killian Fox

Fizika dhe feja përzihen në shumë fusha

Nga Killian Fox

Sabina Hosenfelder është një fizikante teorike gjerman. Ajo shkruan libra dhe drejton një kanal në YouTube (deri më sot me 618.000 abonentë) të quajtur “Science without the Gobbledygook”. E lindur në Frankfurt, ajo studioi për matematikë në Universitetin Gëte dhe vazhdoi të fokusohej mbi fizikën e grimcave.

Doktoratura e saj eksploroi mundësinë që Përplasësi i Madh Hadron, të prodhonte vrima të zeza mikroskopike. Sot është një studiuese në Institutin e Frankfurtit për Studime të Avancuara, ku drejton një grup që studion gravitetin kuantik. Libri i saj i dytë “Fizika ekzistenciale:Udhëzuesi i një shkencëtari për pyetjet më të mëdha të jetës, doli në treg në muajin në gusht.

Pyetja e parë që u bëni fizikantëve që intervistoni në libër është ”A jeni fetarë?” Po ju vetë?

Jam përpjekur që kur isha adoleshente që të isha një besimtare. Unë nuk u pagëzova që fëmijë sepse prindërit e mi ishin të dy ateistë. Por të gjithë miqtë e mi ishin të krishterë, ndaj kur u rrita shkoja me ta në Kishë. Dhe më pëlqeu disi. Të kënduarit gjatë meshës,aktivitetet shoqërore. Mendova t’i bashkohesha, por thjesht nuk mund ta bindja veten që të besoja se Zoti ekziston.

Ju nuk ishit e pasionuar pas fizikës në shkollë. Pse?

Për shkak të mënyrës se si mësohej. Ne detyroheshim të bënim eksperimente që ishin kryer në të kaluarën nga njerëz të tjerë, dhe më pas supozohej të bënim vetë një rindërtim të dobët të tezës së tyre. Më dukej shumë e mërzitshme. Nisa të interesohem vërtet për fizikën vetëm kur mësova se si funksionojnë ekuacionet diferenciale.

Duke studiuar fizikë në universitet, arrita të kuptoja se sa shumë mund të kuptosh natyrën përmes matematikës. Kjo është arsyeja pse unë nuk përshtatem me ndonjë fushë të veçantë të fizikës, pasi kam këtë qasjen e përgjithshme. Unë thjesht dua të di se për çfarë është e mirë matematika.

Çfarë ju nxiti që të shkruani librin?

Mesazhi kryesor që doja të përcillja ishte:ne po pikturojmë një panoramë shumë të njëanshme të fizikës në shkollat tona por edhe në shtypin shkencor. E paraqesim atë si një disiplinëshumë teknokratike, me shumë matematikë, me përshpejtues grimcash etj. Por fizika prek edhe pyetje të mëdha ekzistenciale:Si funksionon universi? Si filloi gjithçka? Nga çfarë jemi krijuar?

Ju shkruani se shumë kërkime në fizikë, si hipotezat për universin e hershëm, janë në fakt “feja e maskuar si shkencë nën maskën e matematikës”.A mund ta sqaroni më mirë këtë koncept?

Ekzistojnë shumë fusha ku themelet e fizikës ndërthuren me atë të fesë. Por fizikanët nuk e vënë re këtë, sepse nuk po i kushtojnë vëmendje. Kjo sepse në përgjithësi ka një mungesë edukimi mbi filozofinë e shkencës. Për shembull, historia më e pranuar për fillimin e Universit është Big Bengu, dhe në një farë mase kjo është në fakt mënyra më e thjeshtë për të ekstrapoluar ekuacionet në të kaluarën.

Më pas mund të shtoni inflacionin, që është një fazë eksponenciale e zgjerimit; ose si RoxherPenrouz, ju mund ta bëni atë një univers ciklik. Por ndoshta ka pasur një kapërcim të madh, ose gjithçka filloi me përplasjen e membranave. Këto ide janë që të gjitha të mundura, pasi janë në përputhje me vëzhgimet që kemi. Por unë do t’i quaja ato shkencore, pra janë lloji i idesë që provat nuk thonë asgjë pro dhe kundër.

A është po aq e arsyeshme të thuhet se Zoti ose ndonjë fuqi tjetër më e lartë e krijoi Universin?

Kjo është një pyetje e vështirë. Ekziston një dallim midis tyre, në kuptimin që teoritë me të cilat punojnë fizikanët janë matematikore në natyrë, ndërsa hipoteza e Zotit nuk është matematikore.

Ju nuk merreni aq shumë me teorinë e multiverseve. Pse?

Kjo është një nga ato ide, të cilën unë do ta quaja as shkencore. Nëse doni të besoni se në botë ka pafund kopje juajat si individ, me disa ndryshime të vogla – pra se njëri prej tyre ndoshta ka fituar çmimin Nobel, dhe tjetri është bërë një yll i muzikës rock – ju mund ta besoni këtë nëse dëshironi, pasi nuk është në kundërshtim me asgjë që dimë. Por nga këndvështrimi shkencor, nëse doni të përparoni mbi kuptimin e ligjit natyror, do të thosha se është humbje kohe pikërisht për këtë arsye, sepse nuk mund ta provoni atë.

Pse disa gjigantë të fizikës, si Stefën Houking, arritën të besonin se po jetojmë në një multivers?

Unë kam disa supozime, por nuk kam mundësi ta pyes atë. Por nuk është vetëm Houking, ka shumë fizikantë të tjerë që e besojnë këtë teori. Mënyra se si ata arrijnë në përfundimin se multiversi duhet të ekzistojë, është se ata kanë një teori që parashikon disa gjëra që pajtohen me vëzhgimet.

Deri këtu jemi në rregull. Por pastaj ata kalojnë tek përfundimin, se për këtë arsye e gjithë matematika që shfaqet në këtë teori duhet të ekzistojë në njëfarë kuptimi. Por gjërat nuk funksionojnë kështu. Sepse nëse i cakton realitetin disa shprehjeve matematikore, nuk mund ta mbështesësh këtë me argumente shkencore.

Jeni shumë kërkuese kur vlerësoni punën e shkencëtarëve të tjerë. Cilët nga fizikantëtaktualë vlerësoni më shumë?

Unë admiroj shumë Roxher Penrouz, që ka një mendje vërtet të mprehtë dhe ka bërë shumë gjëra të mahnitshme. Ai ka qenë i hapur në kritikat e tij ndaj disa prej tendencave në themelet e fizikës, përfshirë Teorinë e Fijeve. Dhe ai është i guximshëm, duke parashtruar disa ide – si për shembull mbi gravitacionin, se si ndërgjegjja luan një rol në trurin e njeriut, apo universin ciklik. E gjitha është shumë origjinale.

Ju shkruat një opinion për “The Guardian” në shtator në lidhje me fizikantët që shpiknin grimca të reja, që provokoi shumë debate…

Argumenti im ishte se është një strategji e keqe shkencore të shpikësh pak matematikë, dhe pastaj të shpallim se duhet ta testojmë, kur nuk ka arsye pse ajo duhet të funksionojë. Ju mund të ndërtoni shumë nga ato lloje grimcash, dhe gjërat sërish nuk do të funksiononin.

Mjafton që të shihni se çfarë kanë prodhuar eksperimentet e 40 viteve të fundit. Po ashtu më shqetëson fakti që ne flasim gjithmonë për atë se si shkenca gjoja korrigjohet, por nuk duket se po ndodh. Ata thjesht po provojnë të njëjtën gjë pa pushim. / The Guardian