Finalja e Stambollit, ose “misioni i pamundur” për Interin, ja pse është i frikshëm Manchester City

Nëse donte të dërgonte një mesazh të qartë për të gjithë rivalët që do të gjente nga tani deri në fund të sezonit, Manchester City ka pasur sukses në qëllimin e tij. Sigurisht që qëllimi i tij kryesor, kur doli në fushë për t’u përballur me Real Madridin në stadiumin “Etihad”, të mërkurën në mbrëmje, ishte të fitonte për të shkuar për herë të dytë në tri vitet e fundit në finalen e Ligës së Kampionëve. Gjithsesi, mënyra me të cilën i likujdoi kampionët e Evropës ende në fuqi la pothuajse një ndjenjë habie.

Manchester City jo vetëm e mundi Real Madridin, por e gjunjëzoi në çdo drejtim. E dominoi gjysmëfinalen e dytë nga e para deri në sekondën e fundit të lojës, duke detyruar një skuadër  që e ka Ligën e Kampionëve ‘habitatin e saj natyror’ të mbrohej pothuajse pafuqishëm në gjysmëfushën e vet.

Një ciklon i vërtetë ka goditur ‘Los Blancos’, të maskuar si një ekip i kompletuar në çdo repart dhe të aftë për të dominuar këdo, përsa i përket lojës. Ajo e ndërtuar nga Guardiola është një ushtri e vërtetë dhe me të Interi do të duhet të përballet më 10 qershor në Stamboll.

Ndjenja është se për zikaltrit, kundërshtar më të frikshëm nuk mund të kishte. Manchester City sot përfaqëson më të mirën që mund të shprehet nga pikëpamja futbollistike në Europë.

Për të thënë se nuk janë vetëm qindra, miliona paund të shpenzuara vitet e fundit për të ndërtuar një ekip praktikisht perfekt në çdo sektor të fushës, por edhe shifrat që flasin për një performancë vazhdimisht në përmirësim.

Manchester City nuk ka humbur asnjë ndeshje që nga 5 shkurti i kaluar (1-0 në Premier League ndaj Tottenhamit ende nën drejtimin e Antonio Conte) dhe që atëherë ka marrë 19 fitore dhe 4 barazime.

Një udhëtim i jashtëzakonshëm që e bën atë disfatë të duket vite larg. Në atë kohë, në fakt, Manchester City konsiderohej si një ekip me ‘barkun plot’, i paaftë për të shprehur potencialin e tij të plotë dhe i mbajtur në vazhdën e Arsenalit (i cili dukej shumë i shpejtë drejt fitimit të titullit të kampionit të Anglisë). Tashmë ka kapur kreun e Premier League, është në finalen e “FA Cup” dhe Champions League; falë golave me shumicë të Erling Haalandit të jashtëzakonshëm.

Megjithatë, sot ‘qytetarët’ jo vetëm janë një hap larg nga triumfi i tretë radhazi në Premier League, i pesti në gjashtë vitet e fundit, por duket se kanë arritur konkretitetin e nevojshëm për të fituar edhe Ligën e Kampionëve, që i mungon në ‘palmares’ dhe e kërkon me ngulm prej një kohe shumë të gjatë.

Ndeshjet e fundit i kanë lejuar Manchester City të synojë ‘tripletën’ historike (do të përballet me Manchester United në ‘Wembley’, në finalen e ‘FA Cup’ më 3 qershor), do të sfidojnë çdo kundërshtar duke e ditur se mund t’i gjunjëzojë pa probleme, sikurse tregoi ndaj Real Madridit.

Nuk mund të jetë ndryshe nëse mbështeteni në qëndrueshmërinë mbrojtëse të garantuar nga elementë si Stones dhe Dias, në një mesfushë që përfshin njerëz të kalibrit të Rodri, De Bruyne dhe Gundogan (ndoshta në momentin më të mirë të karrierës së tij), te një bomber vdekjeprurës si Haaland, apo talente si Grealish dhe Bernardo Silva, shto këtu alternativat plot talent në pankinë, të cilët kanë shumëçka për t’u pasur zili nga lojtarët më të mirë.

E thënë kështu, Interi në finalen e Ligës së Kampionëve do të thirret në një mision të pamundur (ose thuajse), por më pas është gjithmonë fusha që i jep verdiktet e veta. Nëse shumë prisnin që Manchester City të luante në finalen e Stambollit, e njëjta gjë nuk vlente për zikaltrit. Në ‘Ataturk’, skuadra e Inzaghit do të luajë rolin e një ‘outsider’ befasues, por kjo nuk përkthehet në ‘viktimë sakrifikuese’.

Ashtu si ‘qytetarët’, edhe milanezët arritën kulmin përsa i përket performancës në momentin kyç të sezonit. Pra, mbetet vetëm të shihet se cila nga dy skuadrat do të arrijë të ruajë këtë gjendje deri në 10 qershorin e ardhshëm.

Për më tepër, në një ndeshje të vetme direkte gjithçka është e mundur. Manchester City tashmë ka demonstruar ‘me bollëk’ se di ta humbasë finalen e Ligës së Kampionëve (në vitin 2021, pak e konsideruan Chelsea fitues).

Interi me Simone Inzaghi u shndërrua në një makineri autentike të kupave (ka fituar tashmë dy Superkupa të Italisë, një Kupë të Italisë dhe më 24 maj do të sfidojë Fiorentinën në një tjetër finale), një skuadër e aftë për ‘të mbështjellë’ çdo kundërshtar në 90 minuta.

Krahasuar me Real Madridin e padukshëm në Etihad’, në finalen e Stambollit do të shohim një Inter më solid nga pikëpamja mbrojtëse dhe me më shumë elementë të thirrur për të zënë hapësira në mesfushë.

Sigurisht që djemtë e Inzaghit do të duhet të bëjnë paraqitje perfekte ndaj një skuadre që ndoshta është ‘e paarritshme’ nga pikëpamja e lojës, por me aplikim, vendosmëri, intensitet dhe gjakftohtësinë e duhur në sulm, ndoshta mund ta bëjnë të mundur atë që në letër konsiderohet “mision impossibile”.