EKSKLUZIVE Ministria e Shëndetësisë e rikthen në punë të akuzuaren për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Drejtoresha e Inspektoratit të Farmacisë, Remzie Thaçi, në vitin 2017 ishte pezulluar nga detyra. Kjo kishte ndodhur vetëm pak ditë pasi Prokuroria kishte pranuar një e-mail, ku ishte kërkuar përgjigje për arsyet që organet hetuese nuk e kishin njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë për aktakuzën që rëndonte për një kohë ndaj zonjës Thaçi.

Ndërkohë që nga Ministria ishin suspenduar shumë zyrtarë tjerë të lartë ndaj të cilëve rëndonte aktakuza, përfshirë ish-sekretarin e MSH-së, Gani Shabanin, dhe dy drejtorë të njësive.

“Në bazë të përgjegjësive ligjore, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për pezullimin nga puna të drejtoreshës së Departamentit të Inspektoratit Farmaceutik, znj. R. TH., pasi është njoftuar zyrtarisht  nga Prokuroria e Shtetit, BI. Nr. 05/2017, të datës 20/02/2017, lidhur me rikthimin e aktgjykimit në gjyq të së lartpërmendurës”, thuhej në përgjigjen zyrtare.

Ndërkohë, Ballkani.info merr vesh se Remzie Thaqi është rikthyer në vendin e saj të punës këto ditë.

Lajmin për Ballkani.info e ka konfirmuar edhe Ministria e Shëndetësisë.

“Znj. Remzie Thaqi, ka prezantuar ne MSh vendimin e  Gjykatës (Vendimit të Gjykatës së Apelit PAKR. Nr.316/2020, datë 30/12/2020), i cili e liron atë nga akuza, si dhe vërtetim se nuk ka asnjë proces tjetër gjyqësor ndaj saj. Andaj, menaxhmenti i  MSh-së e ka për obligim zbatimin e vendimit të Gjykatës dhe ta rikthejë zyrtaren në vendin e punës, sipas vendimeve që ka marrë Gjykata”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Ballkani.info.

Po ashtu Ministria e Shëndetësisë në përgjigje thekson se MSH-ja gjithashtu ka marr edhe vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, i cili ka kërkuar nga MSH-ja kthimin e znj. Thaqi në vendin e punës.​

Dënimi i Remizje Thaqit nga Gjykata e Apelit

Mirëpo, sipas një vendimi të Gjykatës së Apelit të publikuar më 5 shkurt të vitit 2020 nga “Betimi për Drejtësisë”, thuhet se “shkalla e dytë i ka dënuar me nga gjashtë muaj burgim me kusht, në një periudhë verifikimi prej një vjetësh, edhe të akuzuarit tjerë për keqpërdorim të pozitës zyrtare në këtë rast, Valentina Haxhijaj, Florije Tahiri dhe Remzije Thaqin”.

Ky dënim ishte pjesë e rastit të ish sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj.

Gjykata e Apelit e kishte aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës se Kosovës, në rastin e ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, duke e dënuar këtë të fundit me tre vjet burg efektiv për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Po ashtu, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Apeli e ka dënuar me dy vjet e katër muaj burgim edhe të akuzuarin Bekim Fusha, ndërsa me dy vjet e tetë muaj burgim e ka dënuar të akuzuarin Zenel Kuqi.

Gjithashtu, shkalla e dytë i kishte dënuar me nga gjashtë muaj burgim me kusht, në një periudhë verifikimi prej një vjetësh, edhe të akuzuarit tjerë për keqpërdorim të pozitës zyrtare në këtë rast, Valentina Haxhijaj, Florije Tahiri dhe Remzie Thaqin.

Për dënimin e tyre, Apeli kishte njoftuar përmes një komunikate për media.

“Gjykata e Apelit, e ka aprovuar pjesshëm ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës se Kosovës,  në rastin e të akuzuarve I.T., B.F.,Z.K.,V.H.-P.,R. Th. dhe F.T. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 06.06.2018, është ndryshuar nga aktgjykim LIRUES në aktgjykim DËNUES. Të akuzuarit në fjalë, janë shpallur fajtor nga ana e Gjykatës së Apelit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas nenit 422 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës dhe  janë gjykuar: I.T. me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 3 vjetësh. B.F. me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 2 vjet e 4 muajsh. Z.K. me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 2 vjet e 8 muajsh. Ndërsa V.H.,F.T. dhe R. Th., secilën veç e veç, me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muajsh”, thuhej në njoftimin e Apelit.

Këto dënime, sipas njoftimit të Apelit do të ekzekutoheshin pas plotfuqishmërisë se aktgjykimit, ndaj të cilit palët kishin të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës.

Supremja e rikthen rastin e Tolaj, Thaqit e të të tjerëve për rivendosje në Apel

Ndërkohë, Gjykata Supreme e Kosovës më 21 gusht të vitit të kaluar kishte vendosur që aktgjykimi ndaj ish- Sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj të kthehet për rivendosje në Gjykatën e Apelit.

Ish-Sekretari  Ilir Tolaj së bashku me zyrtarët e tjerë të kësaj minsitrie Zenel Kuqi, Bekim Fusha, Valentina Haxhiaj, Florije Tahiri e Remzie Thaqi  të akuzuar për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdim do të gjykoheshin sërish nga gjykata e shkallës së dytë, thuhej në njoftimin e asaj kohe.

Apeli më 13 dhjetor 2019, kishte ndryshuar pjesërisht aktgjykimin lirues të gjykatës së shkallës së parë duke i dhënë dënim me burgim prej 3 vitesh Ilir Tolajt, Bekim Fushës 2 vite e 4 muaj, Zenel Kuqit dënim prej 2 vitesh e 8 muaj, ndërsa Valentina Haxhiaj, Florije Tahiri, Remzie Thaqi janë dënuar me kusht prej 6 mujash.

Ndërsa gjykata e shkallës së parë më 6 qershor 2018 kishte liruar të akuzuarit për shkak se sipas gjykatës vepra për të cilën akuzoheshin nuk përbën vepër penale. Supremja rikthimin e lëndës në rigjykim e kishte arsyetuar se Gjykata e Apelit ka bërë shkelje esenciale të dispozitave procedurale pasi nuk ka arritur të arsyetojë zgjidhjen e çështjes penale. Supremja kishte gjetur se Apeli po ashtu nuk ka arritur ta vërtetojë ekzistimin e veprës penale dhe përgjegjësinë penale të të dënuarëve. Gjithashtu Supremja ka konstatuar se në aktgjykimin dënues të Apelit mungon definimi i dashjes se të akuzaurëve në kryerjen e veprës penale duke marrë parasysh se dashje në këtë vepër penale është element konstituiv i kësaj vepre penale.

Arsyetimi i Apelit për dënimin e Tolajt, Thaqit dhe të tjerëve

Sipas Apelit, nga provat që janë pjesë e shkresave të lëndës, janë përmbushur të gjitha elementet e veprave penale, për të cilat ata janë shpallur fajtorë. Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 qershor 2018, i kishte shpallur të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajn, Zenel Kuçin, Bekim Fushën, Valentina Haxhijajn, Florije Tahirin dhe Remzie Thaqin. Sipas kryetares së trupit gjykues në shkallë të parë, Valbona Musliu-Selimaj, nuk ishte provuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale më të cilat ngarkoheshin.

Por, aktgjykimin e Themelores, PSRK-ja e kishte kundërshtuar me arsyetimin se ai është marr me shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal. Sipas prokurorisë, Ilir Tolaj ka qenë përgjegjës kryesor, i cili nuk ka respektuar dispozitat ligjore si dhe nuk ka ndëshkuar as personat përgjegjës që nuk kishin respektuar ligjin, i cili po të zbatohej, sipas prokurorisë, do të kursente buxhetin e shtetit.

Pretendimet të njëjta sikurse për Tolajn, prokuroria kishte paraqitur edhe për të akuzuarit tjerë në këtë rast.Po qe se të akuzuarit do të vepronin sipas ligjit, PSRK kishte theksuar në ankesën e saj, se do të evitoheshin mashtrimet e bëra nga ana e operatorit ekonomik në këtë rast.Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarve e kishin kundërshtuar ankesën e PSRK-së, dhe kishin kërkuar nga Apeli që të vërtetojë aktgjykimin lirues të shkallë së parë.Ndryshe, Gjykimi ndaj Ilir Tolaj dhe të tjerëve kishte zgjatur më shumë se dy vjet, e deri në përfundim të këtij procesi gjyqësor ishin ndërruar tre prokurorë.

Prokurori Admir Shala, i cili kishte ngritur aktakuzën ndaj Ilir Tolajt, Zenel Kuqit, Bekim Fushës, Valentina Haxhijaj, Florije Tahirit dhe Remzije Thaqit në fillim të vitit 2017, ishte zgjedhur Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Prizren, andaj lënda e tij kishte kaluar të prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami.

Për çka akuzoheshin Tolaj, Thaqi dhe të tjerët

Shumë shqyrtime kishin dështuar të mbahen me kërkesë të prokurorit, e të palëve, derisa në fund prokurorja Florije Shamolli kishte marr përfaqësimin e aktakuzës së ngritur nga prokurori Shala. Ndryshe, ky rast ishte një nga rastet e shënjëstruara për liberalizim të vizave.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të akuzuarit Ilir Tolaj, në cilësinë e sekretarit të Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Bekim Fusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit Farmaceutik në MSH dhe Zenel Kuqi në cilësinë e menaxherit të prokurimit në MSH, akuzohen se kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore 23 maj 2011 deri më 31 dhjetor 2011, në bashkëveprim i kanë sjellë përfitime kompanisë “KMI” SHPK Drenas me pronar Arian Lleshin dhe Shpend Aganin në vlerë prej 400 mijë  euro. 

Prokuroria pretendon se të lartpërmendurit kanë shkelur Ligjin për Prokurim Publik përgjatë lidhjes së kontratës me kompaninë “KMI” kontratë kjo me vlerë totale prej 1.714.953.74 euro. Në anën tjetër, Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri akuzoheshin se si anëtare në Komisionin i Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të kontratës ku pretendohet se të njëjtat i kanë mundësuar kompanisë “KMI” të bëj manipulim me sasinë e barërave. Me këtë në vazhdimësi Haxhijaj, Thaqi e Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare. /Ballkani.info/