Edhe qershori nis me “çmime të çmendura”, shtrenjtohen vezët, sheqeri e kafeja

Rritja e çmimeve nuk ka të ndalur në Kosovë. Edhe muaji qershor ka nisur me shtrenjtimin e produkteve kryesore të ushqimit si vezët, sheqeri e kafeja.

Qytetarët e Kosovës edhe muajin qershor do të shpenzojnë më shumë para për blerjen e ushqimit.

Agjencia e Statistikave ka treguar se vezët, sheqeri, kafeja dhe makaronat janë shtrenjtuar serish, raporton Demokracia.com.

Siç ka treguar ASK, vezët janë shtrenjtuar për më shumë se 20 centë. Kurse, kafeja është nga 6,13 centë në 6,57 centë.

Një ngritje për afro 10 centë e kanë pasur edhe sheqeri e makaronat.

“Vezë – Konson, 30 copë tani janë 3,03 cent, derisa ishin 2,80 cent. Kafe e bluar – Prince, 500 gr është 6,57 centë, kurse ishte 6,13 centë. Sheqer Agrokor, Kristal, 5 kg  është duke u shitur 4,84 centë, kurse ditë më parë ka qenë 4,78 centë. Makarona – Divella, 500 gr është 0,94 centë, kurse ishte 0,84 centë”, ka treguar ASK në raportin ditor të çmimeve, përcjell Demokracia.com.

Javë më parë, ASK po ashtu ka treguar se buka, vaji ushqimor, qumështi dhe energjia elektrike janë produktet me rritjen më të madhe të çmimeve.

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), brenda një viti, ngritja e çmimit të vajrave dhe yndyrave ushqimore ishte më e madhja me 51.3 për qind, pasuar nga buka me 24.3 për qind.

Po ashtu, rritje të theksuar të çmimeve ka pasur edhe qumështi, djathi e vezët me 21.7 për qind dhe energjia elektrike me 17.6 për qind.

Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill ka arritur në 11.2 për qind.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të bukës dhe drithërave me 24.3 për qind, mishi me 13.5 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 21.7 për qind, vajrat dhe yndyra ushqimore me 51.3 për qind, perimet me 13.8 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 15.9 për qind, prodhime të ndryshme ushqimore me 11.6 për qind, kafeja, çaji dhe kakao me 13.6 për qind, uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet me 5.9 për qind, duhani me 4.8 për qind dhe mirëmbajtja dhe rregulli i vendbanimit me 8.2 për qind”.

Brenda një muaji, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te vajrat dhe yndyrat ushqimore me 15.6 për qind, ndjekur nga gazi me 10.8 për qind dhe shërbimet e transportit me 3.9 për qind.

Edhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, ka kritikuar Qeverinë Kurti për keqqeverisje, ku si pasojë e së cilës Kosova ka shënuar deficitin më të lartë tregtar, rreth 4.6 miliardë euro.

Stavileci përmes një konference për media ka thënë se në këtë mënyrë, Qeveria po kontribuon aktivisht në thellimin e krizës së qytetarëve të Kosovës.

“Ditët po ecin e javët po shkojnë. Kriza ekonomike po thellohet. Qytetari e familja po varfërohet. Shporta e prodhimeve të konsumit po pakohet. E, Qeveria dhe pushteti po vazhdojnë të struken dhe ta vështrojnë krizën nga jashtë, pa ndërmarrë masa konkrete ekonomike dhe fiskale që ta zbusin këtë rëndim të jetesës së qytetarëve dhe familjeve kosovare”, ka thënë Stavileci.

Më tej, ai ka thënë se përtej rritjes së madhe të kostos së jetesës, me numra alarmantë dyshifrorë të inflacionit e në mungesë të veprimeve e vendimeve konkrete të Qeverisë që do ta zbusnin këtë pa përballueshmëri, kjo qeveri, ky pushtet, ka humbur sensin me realitetin ekonomik, duke zgjedhur heshtjen e mosveprimin karshi pakënaqësisë së madhe qytetare.

Stavileci ka treguar se në bazë të dy publikimeve të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës shihet se Indeksi i Çmimeve të Importit në Kosovë pësoi ngritje për 5.2% në Tremujorin e Parë 2022 krahasuar me Tremujorin e Katërt 2021.