DOKUMENTE| Radiologjia e Gjilanit në gjendje skandaloze, pacientët dhe stafi të rrezikuar nga rrezatimi

Gjendje skandaloze ka rezultuar në Repartin e Radiologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit. Punonjësit dhe pacientët janë të rrezikuar nga prezenca e rrezatimit, pasi që në këtë repart nuk ka pajisje mbrojtëse. Madje, as ventilimi nuk është i instaluar sipas standardeve dhe është jofunksional.

Gjendja skandaloze në Repartin e Radiologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit është bërë e ditur pas inspektimit të fundit që ka bërë Agjencia për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore në Repartin e Radiologjisë.

Demokracia.com ka siguruar raportin inspektues përmes kërkesës për qasje në dokumente publike drejtuar Agjencisë për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Sipas këtij raporti zyrtar, Reparti i Radiologjisë në Gjilan i ka shumicën e pajisjeve jashtë funksionit.

Në këtë repart janë dy CT, ku njëra është jashtë funksionit. Po ashtu, rëntgeni konvencional është jashtë funksionit, rëntgeni mobil është jashtë funksionit, mamografia është jashtë funksionit dhe skopia është jashtë funksionit. Ndërsa, funksional është vetëm rëntgeni digjital.

Probleme sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes nga rrezatimi janë hasur edhe në shumicën e kabineteve, raporton Demokracia.com.

Stafi i Radiologjisë nuk ka një inventar të pajisjeve të mbrojtjes. Po ashtu, nuk ka pajisje mbrojtëse të mjaftueshme për pacientë, përcjellës të pacientëve dhe stafin profesional, si dhe u mungojnë doreza të plumbura, syzet, qaforet dhe pajisjet për gonade.

Madje, kjo klinikë nuk është pajisur as me licencë në Agjencinë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore.

Sipas raportit të AKMRrSB të siguruar nga Demokracia.com, Radiologjia nuk ka një inventar të pajisjeve që prodhojnë rrezatim.

“Nuk është kryer vlerësimi i sigurisë (kontrolli i kualitetit të rrezatimit) të pajisjeve nga ndonjë shërbim teknik profesional përpara çdo ndryshimi (servisimi). Nuk kanë një inventar të pajisjeve të mbrojtjes. Nuk kanë pajisje mbrojtëse të mjaftueshme për pacientë, përcjellës të pacientëve dhe stafin profesional. Nuk kanë doreza të plumbura, syze, qafore, pajisje për gonade. Nuk bënin vlerësimin dhe zbatimin e organizimit të mbrojtjes nga rrezatimi, duke siguruar përcaktimin e hapësirave të kontrolluara dhe hapësirave të mbikëqyrura”, thuhet në raport zyrtar.

Gjatë inspektimit është gjetur se punonjësit ishin të pajisur me dozimetër personal (TLD), por një praktikante dhe një vullnetare si punonjëse nga jashtë, nuk ishin të pajisur me dozimetra.

“Punonjësit ishin të pajisur me dozimetër personal (TLD), por një praktikante dhe një vullnetare si punonjëse nga jashtë nuk ishin të pajisur me dozimetra, ku gjatë inspektimit hasëm në një rast të tillë. Punonjësit nuk ishin të njoftuar periodikisht për dozat e tyre mujore. Reparti i Radiologjisë nuk i ka raportuar dozat e pranuara nga punonjësit e ekspozuar të AKMRrSB për regjistrin kombëtar të dozave”, thuhet tutje në raport, përcjell Demokracia.com.

Po ashtu, raporti ka gjetur edhe një keqmenaxhim të raporteve mujore të dozimetrave.

“Gjetëm një keqmenaxhim të raporteve mujore të dozimetrave. Nga raportet mujore të vitit 2020 mungojnë raportet për muajin: 6,7,9,12 si dhe për vitin 2021 mungojnë raportet mujore për muajin shkurt dhe mars dhe me këtë vërehet se ka shumë parregullsi. P.sh në lidhje me ketë për vitin 2020 kemi vetëm 66 për qind të pasqyrës vjetore për punonjësit si dhe për vitin 2021 për 5 muajt e parë të vitit kemi vetëm tre muaj raporte mujore e që i bie se kemi vetëm 40 për qind të pasqyrës vjetore të monitorimit dozimetrik individual. Nuk janë bërë asnjëherë matje periodike nga stafi apo ndonjë ekspert për matjen e fuqisë së ekspozimit në zona publike pranë vendeve ku bëhen ekzaminime diagnostike, ku përmes matjeve do të bëhej edhe vlerësimi i shkallës së dozës”, thuhet në këtë raport zyrtar.

Radiologjia në Gjilan nuk ka asnjë plan emergjent të shkruar sesi duhet vepruar në rast të ndonjë emergjence.

Përveç kësaj, skandaloze në këtë klinik po del të jetë edhe mosfunksionimi i ventilimit.

Raporti thotë se ventilimi i instaluar nuk ishte sipas standardeve dhe si i tillë nuk ishte në funksion.

Gjatë inspektimit është vërejtur se në të gjitha kabinetet dyert nuk ishin shenjëzuar me shenjë standarde të rrezatimit.

“Nuk ishin të përcaktuara dhe të dokumentuara protokollet e trajtimit të pacientëve (si p.sh. parametrat kV dhe mAs), dhe një bazë e të dhënave mbi dozimetrin e pacientëve gjatë një imazherie (Rtg apo TK). Nuk kanë pasur trajnim adekuat dhe informacione të duhura për mbrojtjen nga rrezatimi, veçanërisht për pajisje për të gjithë individët detyrat e të cilëve kërkojnë kompetenca specifike në mbrojtje nga rrezatimi”, thuhet tutje në raport, shkruan Demokracia.com.

Aty nuk e kishin as formularin informues dhe miratimin nga pacienti për kryerjen e një ekzaminimi, qoftë: Rtg, TK etj.

Inspektorati ka rekomanduar Radiologjinë që të fusë në funksion sistemin e ventilimit aty ku nuk është funksional, si dhe ka kërkuar sanimin e gjetjeve të cekura më lart dhe aplikimin për licencë në afat prej dy javësh nga data e inspektimit.

“Duke u bazuar në gjetjet nga inspektimi dhe gjetjet nga inspektimi paraprak me numër të procesverbalit 216-71/2019 dhe bazuar në Ligjin 06/L-029 për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore, Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore jep vërejtjen e fundit dhe kërkon sanimin e gjetjeve të cekura më lartë dhe aplikimin për licencë në afat prej dy javësh nga data e inspektimit”, thuhet tutje në këtë raport.

Në repartin e Radiologjisë punojnë 19 punonjës, 4 specialistë të radiologjisë, 15 teknikë të radiologjisë dhe teknikë me drejtime të ndryshme. /Demokracia.com/