DOKUMENT| Ja sa të pasur janë 3 gjyqtarët e Supremes, që morën vendim për shtrenjtimin e rrymës

Rritja e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve është lejuar nga Kolegji i Gjykatës Supreme.

Me vendimin e djeshëm, Supremja i prishi vendimet e gjykatave më të ulëta përmes të cilëve ishte ndaluar shtrenjtimi i rrymës me arsyetimin se qytetarëve do u shkaktohej dëm i pariparueshëm.

Sipas Gjykatës Supreme, e cila e ka dhënë fjalën e fundit, pezullimi i shtrenjtimit të rrymës nuk ishte arsyetuar nga Gjykata e Themelore dhe ajo e Apelit, shkruan Demokracia.com.

Sipas Supremes, Gjykata Themelore e Prishtinës edhe ajo e Apelit kur e kanë pezulluar shtrenjtimin e rrymës gabimisht e kanë zbatuar Ligjin për Konfliktin Administrativ. Supremja thekson se konstatimet e gjykatave më të ulëta nuk e kanë argumentuar se cili ka qenë dëmi konkret dhe si është i matshëm ky dëm që i shkaktohet paditësit.

“Nga kjo rezulton se arsyetimi i aktvendimit kontestues të Gjykatës së Apelit nuk përmban arsye ligjore dhe bindëse sipas provave në shkresa të lëndës për kushtet ligjore që kërkohen sipas nenit 22 të LKA për lëshimin e masës së përkohshme”, thuhet në vendimin e Supremes, përcjell Demokracia.com.

Në shkurt të këtij viti, Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në muaj do të paguanin më shtrenjtë tarifat e energjisë.

Ndaj këtij vendimi kishte ushtruar padi Partia Demokratike e Kosovës, e cila kishte konsideruar se vendimi i ZRRE-së do t’i shkaktonte dëme të pariparueshme qytetarëve të Kosovës. E lidhur më këtë kërkesë në prill të këtij viti vendosi Gjykata Themelore në Prishtinë përmes gjyqtarit Kreshnik Kaçiu.

Kolegji i Gjykatës Supreme që vendosi kundër padisë së PDK-së dhe rrjedhimisht lejoi shtrenjtimin e energjisë elektrike përbëhej nga tre gjyqtarë. Udhëheqës i Kolegjit ishte Ragip Namani, kurse anëtarë ishin Nebojsha Boriçiq dhe Beshir Islami.

Por, sa janë të pasur këta tre gjyqtarë, që ua rënduan jetën edhe më shumë kosovarëve me aktvendimin e tyre për lejimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike?

Sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Namani dhe Boriçiq dalin të jenë goxha të pasur, përcjell Demokracia.com.

Në deklarimin e sivjetmë të pasurisë, kryetari i kolegjit gjykues, Ragip Namani, posedon pasuri të patundshme shtëpi e banesa, derisa në banka si para të gatshme i mban rreth 50 mijë euro bashkë me gruan e tij.

Namani në vit paguhet rreth 31 mijë euro nga shteti i Kosovës si gjyqtar (mbi 2500 euro pagë mujore), derisa bashkëshortja e tij punon në Ministrinë e Arsimit dhe paguhet rreth 4800 euro në vit.

Nebojsha Boriçiq është edhe më i pasur se Namani. Ai në AKK ka deklaruar se ka shtëpi prej 107 metrave katrorë, me vlerë 70 mijë euro, e cila i është dhuruar nga Ministria për Kthim dhe Komuniteteve.

Boriçiq ka deklaruar se e ka një grua jashtëmartesore dhe me të në banka i kanë mijëra euro të deponuara.

Në ProCredit me bashkëshorten jashtëmartesore, gjyqtari nga Graçanica i ka deklaruar fillimisht mbi 72 mijë euro, pastaj vetë mbi 9 mijë euro një herë dhe mbi 11 mijë më pas, ndërsa dinarë të Serbisë i ka deklaruar se i ka mbi 230 mijë (rreth 2 mijë euro).

Boriçiq mban para edhe në Beograd dhe në Komercialna Bankën serbe. Edhe ai i merr në vit rreth 31 e 600 euro nga shteti i Kosovës si gjyqtar i Gjykatës Supreme.

Më i varfri nga këta tre gjyqtarë del të jetë Beshir Islami. Ai në AKK ka deklaruar si pronë të tij të paluajtshme nëntë hektarë në vlerë 10 mijë euro, derisa pasuri të përbashkët ka deklaruar dy shtëpi banimi dhe një banesë në vlerë 45 mijë euro të blerë me kredi.

Islami në vitin 2018 thotë se e ka blerë një Mercedes 7 mijë euro, kurse në bankë në Mitrovicë i mban 3 e 257 euro.

Në vit, gjyqtari Islami paguhet 31 mijë e 860 euro nga shteti, që i bie në muaj merr pagë 2655 euro. /Demokracia.com/

Vendimi i Gjykatës Supreme: