Ministrja e MPJD-së

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët e shpallën Deklaratën e 2 Korrikut

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Deklarata e 2 Korrikut, shënon gurin e parë themeltar të Pavarësisë së Kosovës.

Gërvalla tha se më 2 korrik të vitit 1990, deputetët e Kuvendit të Kosovës, nën kushte të jashtëzakonshme e nën kërcënimin e armëve të njësive speciale të policisë, duke mos u lejuar të futen në objektin e kuvendit, shprehën vullnetin e popullit të Kosovës, përmes një deklarate me të cilën, sipas saj, Kosova shpallet njësi e barabartë në federatën jugosllave.

“Ky akt politiko-juridik shënoi fillimin e një epoke të re në ndërtimin e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran me aktet tjera pasuese juridike: Kushtetutën e Kaçanikut ( 7 Shtator 1990), referendumin për pavarësinë e Kosovës (1991), zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare(1992) të cilat do te bëhen themeli i shtetit të ardhshëm të Kosovës e rreth të cilave do të brumoset gjithë organizimi i shtetit të pavarur të Kosovës, që atëherë njihej si shteti paralel i Kosovës”.

“Shenjë hakmarrje e Serbisë ndaj këtij akti sublim të shtetësisë së Kosovës ishin masat e shumta të dhunës: mbyllja e mjeteve të informimit, mbyllja e shkollave dhe universitetit, largimi i punëtorëve nga puna, të cilat u pasuan me protestat e shumta kundër shtypjes, rezistencën civile, luftën çlirimtare dhe lobimin e mërgatës sonë për intervenimin e NATO-s në Kosovë”, shkroi Gërvalla.

Më tej, Gërvalla tha se deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, të cilët shpallën Deklaratën e 2 Korrikut për pavarësi, populli i Kosovës u është mirënjohës dhe sipas saj, ata meritojnë respektin e institucioneve shtetërore.

“Sot, kur kemi shtetin tonë të pavarur dhe sovran, vazhdojmë të punojmë së bashku për një të ardhme të ndritur, duke mbajtur gjallë frymën e atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë”, tha ajo.