Mafia shqiptare

Cila është lidhja mes valës së krimit në Ekuador dhe mafies shqiptare

Krimi i organizuar shqiptar filloi të migronte në Ekuador në vitet 1990, i tërhequr nga mundësia e bashkimit të forcave me kartelet e suksesshme lokale dhe kontrollet relativisht të dobëta kufitare.

Deri vonë, shqiptarët mund të hynin pa viza në Ekuador. Kjo politikë përfundoi kur Ekuadori prezantoi kërkesa më të rrepta për viza në vitin 2020, shkruan revista Americas Quarterly.

Sipas kësaj reviste, afërsisht 33 për qind e kokainës së kapur në Ekuador në vitin 2021 ishte e destinuar për tregjet evropiane, krahasuar me vetëm 9 për qind në vitin 2019. Ballkani është një qendër e re kyçe në këtë “tregti fitimprurëse ndërkontinentale” (me vlerë 10 miliardë dollarë në 2017), me bandat shqiptare që luajnë një rol gjithnjë e më të spikatur në të dy anët e ekuatorit.

Me operacionet kundër narkotikëve që po përhapen në Brazil, Kolumbi dhe Peru, Ekuadori është kthyer në një destinacion joshës për trafikantët e huaj. Korrupsioni lehtëson blerjen e dokumenteve false, si karta identiteti, pasaporta dhe leje eksporti. Shumica e kriminelëve të njohur shqiptarë jetojnë në Guayaquil, shpesh me identitete të rreme.

Mediat ballkanike nuk kursyen detaje se si kartelet shqiptare, kolumbiane, meksikane, madje edhe ruse po luftojnë për kontrollin e Guayaquil. Të paktën gjashtë shqiptarë kanë vdekur në “përleshje banditësh” në dekadën e fundit. Disa burime të inteligjencës ekuadoriane sugjerojnë se shqiptarët po rekrutojnë bandat dominuese lokale si ‘partnerët e preferuar’, ndërsa burime të tjera thonë se shqiptarët synojnë përfundimisht të kontrollojnë të gjithë zinxhirin e furnizimit.

Mafia shqiptare, dyshohet se përdor një mori mashtrimesh në tregtinë e drogës, nga përdorimi i kompanive false për dërgimin e kokainës në ngarkesat e bananeve, çajit dhe karkalecave e deri te klonimi i pullave doganore. Pak nga kjo do të ishte e mundur pa një “thumë” nga zyrtarët.

Shërbimet e inteligjencës ekuadoriane kanë mbajtur prej kohësh nën vëzhgim mafien shqiptare. Operacioni Ballkani në vitin 2014 përfundoi me arrestimin e kreut të grupit, Ramzi Azemi dhe 11 anëtarëve të tjerë të bandës, mes të cilëve shtetas të Shqipërisë dhe Ekuadorit.

Policia dhe prokurorët ekuadoriane akuzuan organizatën për grumbullimin e kokainës në Guayaquil me destinacion Evropën. Azemi u arratis nga paraburgimi një muaj më vonë, u rishfaq në Evropë në vitin 2017 dhe më pas u arrestua në Gjermani.

Azemi ende përballet me akuza penale në Ekuador, duke përfshirë vrasjen e gruas së tij ekuadoriane dhe të arratisurit shqiptaro-malazez, Fadil Kaçaniq.

Autoritetet ekuadoriane ende nuk i kanë publikuar gjetjet e tyre në këtë rast apo madje nuk kanë pranuar praninë e shtetasve të huaj të lidhur me “mafien brutale ballkanike”.

Dy burime të ndryshme të inteligjencës shkuan aq larg sa sugjeruan “marrëveshje të nivelit të lartë” mes policisë ekuadoriane dhe mafies shqiptare.