Çfarë do të thotë njohja ‘de facto’? Less analizon situatën para takimit Kurti-Vuçiq: Pres rezultat të paqartë

Ish-diplomati britanik, Timothy Less e ka një ide se çfarë mund t’i japë në të vërtetë Kosovës njohja ‘de facto’ nga Serbia, në rast të nënshkrimit të një marrëveshjeje. Pika për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, sipas Less, “mund të mos jetë asgjë në praktikë”. Nga takimi i së shtunës, ai pret rezultat “të paqartë”, pasi vlerëson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk duan vërtetë marrëveshje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thekson se propozimi europian për marrëveshjen bazë me Serbinë “përmban njohjen ‘de facto’”, kur e arsyeton pranimin e tij në tavolinën e bisedimeve. Në takimin e fundit me presidentin serb, Aleksnadar Vuçiq në Bruksel, Kurti ishte i gatshëm ta nënshkruante këtë propozim.

Para takimit të rëndësishëm të 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha të shtunën se nuk do të ketë njohje “as de facto dhe as de jure” të pavarësisë së Kosovës.

Ish-diplomati britanik, Timothy Less i tha Gazetës Express se Serbia s’do të jetë e detyruar ta njohë Kosovën, sipas propozimit europian.

“Ajo që do të thotë (njohja de facto) është se Serbia nuk do të jetë e detyruar ta njohë Kosovën, por në vend të kësaj ta trajtojë Kosovën sikur të ishte shtet, ndërkohë që bie dakord për një “normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve” në terma afatgjatë – kodin diplomatik për njohje”, tha Less.

Se çfarë do të thotë kjo në praktikë, “mbetet e panjohur”, thotë ai.

“Një lexim fjalë për fjalë i marrëveshjes sugjeron se Serbia do të duhet ta krijojë një mision diplomatik në Kosovë, të vendosë marrëdhënie tregtare dhe ekonomike dhe t’i njohë dokumentet e Kosovës”, tregon Less.

“Megjithatë, kërkesa për të “vazhduar me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja” që çon në normalizimin e marrëdhënieve është e paqartë dhe pa fund, dhe lë të hapur mundësinë që Serbia të mos e njohë kurrë Kosovën, gjë që është ajo për të cilën shumica e serbëve dhe qeveria po insistojnë”, shtoi Less.

Pika e propozimit që thotë se palët nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare është njëra nga ato që përkthehet si njohje ‘de facto’ në Prishtinë.

Por studiuesi në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Cambridge-it thotë se kjo “mund të mos jetë asgjë në praktikë”.

“Për rrjedhojë, kërkesa për Serbinë për të mos e kundërshtuar pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare mund të mos jetë asgjë në praktikë pasi që vendet e tjera do ta bllokonin këtë derisa Serbia ta njohë zyrtarisht Kosovën”, tha Less.

Pritjet për takimin e së shtunës

Në kuadër të përgatitjeve për takimin mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksnadar Vuçiq këtë të shtunë, emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

Ambasdori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde i ka oftuar mbështetje të plotë Lajçakut, duke shkruar në Twitter se “një marrëveshje është e arritshme” dhe se “Kosova do të fitojë shumë”. Ai tha se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin “tani”.

“Një marrëveshje është e arritshme. Kosova do të fitojë shumë. Kosova duhet ta zbatojë detyrimin e saj të kahershëm dhe ta sjellë Asociacionin tani”, shkroi Rohde.

“Apeli im për Kosovën (dhe Serbinë) për bisedimet e ardhshme në Ohër: ‘Mos e humbni autobusin’”, shtoi ai.

Kjo marrëveshje, sipas Rohde, “do ta përshpejtojë integrimin euroatlantik të Kosovës dhe është një shans historik në rrugën drejt normalizimit të plotë dhe njohjes reciproke”.

Por ish-diplomati britanik, Timothy Less, pret rezultat të ngjashëm, të paqartë, si nga takimi i fundit në shkurt.

“Unë pres një rezultat të ngjashëm të paqartë nga takimi në Bruksel, në të cilin BE-ja këmbënguli se propozimi ishte rënë dakord dhe tani duhet të zbatohet, krahas kundërshtimeve të dukshme ndaj përmbajtjes së marrëveshjes nga Serbia dhe Kosova”, tha Less.

Ai thotë se natyra e takimeve të ardhshme mund të prodhojë rezultate kontradiktore, pasi palët, sipas tij, nuk janë shumë të gatshme për marrëveshje.

“Kjo ka të ngjarë të jetë gjithashtu natyra e takimeve të ardhshme pasi kontradikta të tilla janë të natyrshme në idenë e një marrëveshjeje të hartuar nga një palë e jashtme dhe të imponuar ndaj palëve lokale të cilat nuk duan vërtet një marrëveshje, ose të paktën jo ende ose jo në kushtet e përcaktuara nga BE-ja”, tha Less.