Zëvendëskryeministri i Kosovës

Bislimi u kap në rrenë, gjatë konferencës e bëri “edit” në Facebook fjalën për të cilën sulmoi mediat

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi përveç se i akuzoi mediat se “po m’i shtrembërojnë deklaratat”; tha se këto “shtrembërues…paguhen nga Serbia”.

Fjala ishte për një deklaratë të dhënë ditë më parë për median serbe “Danas” ku tha se Kosova në dialogun për normalizim të marrëdhënieve, përkatësisht në konkretizimin e Marrëveshjes Bazike, hoqi dorë nga kërkes për njohje formale, dhe se kjo ishte “lëshim i madh nga ana e Kosovës”.

Kjo deklaratë e Bislimit u citua dhe stër-citua nga të gjithë, për shkak të peshës së saj, por edhe për shkak të peshës së funksionit të tij që mban – si kryenegociator i palës kosovare në bisedimet e Brukselit – ku, në rend të parë pranon haptazi se kanë hequr dorë nga kërkesa për njohje të ndërsjellë juridike, dhe në rend të dytë pranon se kanë bërë “lëshim të madh”.

Por, Bislimi, provon të ndërrojë krejt semantikën e asaj që ka thënë vetë, e përveç semantikës provon të ndërrojë edhe fjalën që ka thënë.

Për çfarë shtrembërimi e ka fjalën? Tha që ka thënë “koncesion” e jo “lëshim”, që praktikisht janë sinonime, sepse koncesion është lëshim në kuptimin e ngushtë të fjalës.

Fjala lëshim është nga mediat kosovare që kanë financim nga Serbia, ky është koncension që ka bërë Kosova ndaj Bashkimit Evropian por jo Serbisë”.

Ku është gënjeshtra?

Mediat s’e kanë përdorur më vete fjalën lëshim, por e ka përdorur ai vetë në intervistën e tij dhënë për Danas, intervistë të cilin e ka publikuar vetë në Facebook-un e tij.

E pas deklaratës për media, e ndërroi në “Edit post” në Facebook në ora 11:40. Shih fotografinë krahasuese mes asaj që ka thënë kur e ka publikuar dhe redaktimit që i ka bërë sot gjatë kohës së konferencës.

Kjo është fjalia e botuar në ora 15:43 më 9 shtator në Facebook-un zyrtar të Bislimit: “Ne e kuptojmë se njohja formale nuk është aty dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës”

Ky është redaktimi i bërë në ora 11:40 më 18 shtator: “Ne e kuptojmë se njohja formale nuk është aty dhe ky ishte një koncesion i madh i Kosovës”.

Por, Bislimi gënjet, dhe kapet duke gënjyer. Por, atij aq i bën. Se mediat e kanë cituar ashtu siç e ka publikuar Bislimi në Facebook-un e tij, ai thotë se ato “po paguhen nga Serbia”.

“Pamundësia e faktorit ndërkombëtar të detyrojë Serbinë të jetë konstruktive në dialog, ka sjellë propozimin franko-gjerman, i cili i ofron Kosovës njohje de facto, por njohja de jure mbetet për më vonë. Ky nuk është lëshim. Fjala lëshim është (keq)përdorur qëllimisht nga mediat kosovare që kanë financim nga Serbia për t’i dhënë konotacion negativ”, tha Bislimi, tash i zënë në rrenë.

Gjatë kohës sa Bislimi po e artikulonte këtë rrenë, Nacionalja kishte raportuar saktësisht për këtë të njëjtë përdredhje që po bënte ai mes fjalës “lëshim” dhe “koncesion” që edhe ashtu janë e njëjta gjë.