Banorët e Koshtovës me ultimatum për mbylljen e deponisë

Banorët e Koshtovës kanë dhënë ultimatum që deponia rajonale e mbeturinave e vendosur në fshatin e tyre të mbyllet më së largu deri më 1 tetor, përndryshe ata do ta bllokojnë rrugën që shpie deri te deponia. Bahtiri: Problemi ka mundur të zgjidhet para 6 vjetëve, por niveli qendror nuk lejoi kompaninë amerikane “Green 3Power” të investojë 43 milionë dollarë në ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e 12 megavateve energji elektrike, shkruan Gazeta “Zëri”.

Banorët e Koshtovës së Mitrovicës u kanë kërkuar institucioneve të komunës së Mitrovicës që më së largu deri më 1 tetor ta mbyllin deponinë rajonale të mbeturinave në fshatin e tyre, në të cilën derdhen mbeturinat e komunave Mitrovicë, Vushtrri e Skenderaj.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar një tryezë diskutimi me banorët e fshatit Koshtovë dhe Koprivë, ku është diskutuar për mënyrën e gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët lidhur me problemin e deponisë rajonale të mbeturinave në fshatin Koshtovë, të cilën banorët e Koshtovës dhe të Koprivës e quajnë ilegale, shkruan Gazeta “Zëri”.

Arjeta Miftari, përfaqësuese e KDI-së, tha se KDI-ja është marrë me problemin e kësaj deponie dhe se që nga dhjetori i vitit të kaluar ka organizuar takime me banorët e Koshtovës, si dhe me autoritetet komunale dhe të kompanisë për menaxhimin e mbeturinave “Uniteti”, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje. Deri tek kjo tryezë, në të cilën pos autoriteteve komunale të Mitrovicës dhe të Vushtrrisë, kryetarëve Agim Bahtiri e Xhafer Tahiri dhe bashkëpunëtorëve të tyre, përfaqësuesve të banorëve të Koshtovës dhe të Koprivës, si dhe përfaqësuesve të kompanisë rajonale për menaxhimin e mbeturinave “Uniteti”, ka ardhur pas një proteste të banorëve të fshatit, të cilët para gati një muaji patën bllokuar rrugën që shpie deri te deponia e të cilët edhe qenë konfrontuar me shefin ekzekutiv të kompanisë “Uniteti”, Gazmend Morina, që ishte rrahur me banorët protestues.

Haxhi Salihu, kryetar i fshatit të Koshtovës, Gjylzim Baliu, përfaqësues i fshatit Koprivë, Nexhmedin Bala, banor i lagjes ku është vendosur deponia, si dhe banorë të tjerë kanë thënë se është qëndrim i përbashkët i banorëve që deponia duhet të mbyllet deri më 1 tetor e nëse ajo nuk mbyllet deri atëherë ata siguruan se asnjë kamion nuk do të lejohet të qarkullojë rrugës që shpie te deponia.

“Nëse nuk mbyllet deponia deri më 1 tetor, atëherë as mos e mbuloni hiç më kurrë, më 1 tetor asaj rruge nuk do të kalojë asnjë kamion. Po flasim hapur dhe është shumë më mirë që po flasim hapur. Asnjë kamion më 1 tetor nuk do të lejohet të shkojë atje lart te deponia. Banorët e këtushëm ballafaqohen me probleme të mëdha dhe serioze si pasojë e kundërmimit dhe kontaminimit. Në deponinë në Koshtovë hidhen mbetje spitalore, amputime, mbetje shtazore, eshtra, planca dhe nuk bëhet gropimi i qenve të vrarë që hedhen aty. Sipas standardeve, një deponi ka qëndrueshmëri 15 vjet dhe kjo qëndrueshmëri ka përfunduar në vitin 2017, andaj sa i përket deponisë së Koshtovës, ajo tani është deponi ilegale. Kjo deponi është ilegale dhe si e tillë nuk mund të funksionojë më në fshatin Koshtovë. Nëse nuk ndërmerret diçka deri më 1 tetor ne do të jemi të shtrënguar për ta bllokuar rrugën dhe të mos lëmë më asnjë kamion të depërtojë deri te deponia”, kanë thënë ata me një zë, shkruan Gazeta “Zëri”.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, pasi ka dëgjuar shqetësimet e banorëve tha se kjo çështje ka mundur të zgjidhet para 6 vjetëve, kur një kompani amerikane-suedeze ishte interesuar të ndërtojë një fabrikë për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e 12 megavateve energji elektrike.

Bahtiri tha se në nëntorin e vitit 2014 ishte nënshkruar kontrata në mes të Komunës së Mitrovicës dhe një investitori nga Florida e SHBA-së për ndërtimin e fabrikës, një investim prej 43 milionë dollarësh, mirëpo siç tha Bahtiri “ka pasur pengesa nga niveli qendror që ka bllokuar funksionalizimin e fabrikës për trajtimin e mbeturinave”. Kontrata ishte nënshkruar me kompaninë amerikane-suedeze “Green 3Power”, ndërsa ishin mbajtur edhe disa debate me qytetarë. “Këtë problem jam përpjekur ta zgjidh një herë e përgjithmonë para gati 6 vjetëve.

Kam kontaktuar me një kompani ‘Green 3Power’ nga Florida, e cila e ka parë terrenin, e ka matur edhe sasinë e mbeturinave. Janë 150 tonelata mbeturina në ditë që deponohen nga tri komunat dhe kemi bërë një projekt që ata kanë pasur të investojnë 43 milionë dollarë për të bërë një fabrikë të riciklimit të mbeturinave dhe asgjësimit të tyre.

Do të jepte edhe rrymë prej 12 megavateve. Ne si Komunë ia patëm ndarë 10 hektarë tokë në zonën e lirë ekonomike në Frashër. Dhe çka ka ndodhur, dikush nga niveli qendror e ndali procesin për të përfituar vetë në nivelin qendror, që sot të mos kemi fabrika të tilla në Kosovë, kështu që nuk ia dhanë pëlqimin për të filluar punën”, ka përkujtuar kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.