Ballkani Perëndimor

Ballkani Perëndimor mbetet rruga më aktive e kalimit të parregullt, thotë Frontex

Ballkani Perëndimor sërish mbetet rruga më aktive e migracionit të parregullt në muajin shtator.

Të paktën kështu ka bërë me dije Frontex – agjencia evropiane për ruajtjen e kufijve – në raportin e saj të fundit të publikuar këtë të premte të 13 tetorit.

Sipas raportit 18 mijë e 883 raste të kalimeve të emigrantëve të parregullt u evidentuan në këtë rrugëkalim, ndërkohë që rruga e Mesdheut Qendror, shënoi një rënie me rreth 16 mijë e 600 raste gjatë muajit shtator.

Ndërsa si nëntëmujor, nga janari deri në shtator, rruga e Ballkanit Perëndimor, shënoi 81 mijë e 800 raste të kalimeve të migrantëve me një rënie prej 23%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Migrantët që përshkuan rrugën e Ballkanit Perëndimor ishin kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Turqia.

Kur në korrik të vitit 2022 shifrat u publikuan, se kalimet e jashtëligjshme nga rruga e Ballkanit Perëndimor drejt vendeve të Bashkimit Evropian, shumëkush filloi të ngrinte alarmin se duhej vepruar.

Asokohe, në krahasim me vitin paraardhës, rastet e emigrantëve të jashtëligjshëm, të cilët kishin zgjedhur rrugën ballkanike, ishin trefishuar, duke e bërë edhe më të rrahurën për personat që vinin ilegalisht nga Azia.

E njëjta gjë u vërtetua edhe gjatë gushtit 2022, kur shifrat e publikuara nga Agjencia Evropiane për Mbrojtjen e Kufijve dhe Bregdetit, nxirrnin në pah faktin se si kjo rrugë ballkanike, ishte kthyer në më të frekuentuarën gjatë gjashtëmujorit të parë 2022, nga emigrantët e jashtëligjshëm.

Shifra e tyre, kishte kapur 70 mijë e 770 persona, duke shënuar edhe rritjen më të madhe, me 205%. Kjo, në një kohë kur rruga përmes Evropës lindore apo asaj Mesdhetare, pësonin rënie me rreth 30% përkatësisht.

Pavarësisht këtij fakti, në muajin gusht, shtetet anëtare të BE-së dhe Frontex thanë se puna e bërë nga Shqipëria dhe partnerët e tjerë, ishte e kënaqshme.

Në fakt, Shqipëria dhe Serbia, ndër vendet e rajonit, mbanin edhe peshën kryesore të kalimeve të jashtëligjshme.

Po ashtu, dy vendet kanë qenë edhe të parat, të cilat kanë firmosur marrëveshje me Frontex, më 1 maj 2021, për bashkëpunim.

Mirëpo këto marrëveshje, përtej rezultateve, duheshin thelluar dhe kjo gjë, u arrit vetëm më 18 nëntor.

Në një kohë të tillë, edhe raportet e Komisionit Evropian lidhur me çështjen, kanë qenë të tilla, ku në shifra, gjatë 2022-shit, ka pasur 86 mijë e 581 kalime.

Shumica e tyre, përmes itinerarit Shqipëri-Mal i Zi-Serbi, por me shtete kryesore të shkelura, Shqipërinë dhe Serbinë./AP