takim

Balkan ‘Diplomacy’: S’ka pritje për rezultate nga takimi i radhës Kurti – Vuçiq

Ndonëse nuk ka detaje të agjendës së takimit të radhës mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit, njohësit e procesit të dialogut mendojnë se takimin do ta mbizotërojnë diskutimet për zbatimin e marrëveshjeve, me theks asociacionin e komunave me shumicë serbe. Sipas tyre takimi nuk do të prodhojë asnjë rezultat, përpos tendencës që palët të paraqiten si konstruktive dhe ndërmjetësuesit si palë që nuk kanë dështuar në dialog.

Përpos konfirmimit se më 26 qershor në Bruksel takohen kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, as nga ndërmjetësuesi e as nga Zyra e Kryeministrit, nuk kanë ofruar detaje për agjendën e takimit.

Dje u bë e ditur se fokusi kryesor do të jetë te zbatimi i marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj.

Me këtë takim ndër të tjera, sipas analistit Visar Ymeri, ndërmjetësuesit do të tentojnë ta paraqesin dialogun si proces që po vazhdon përkundër vështirësive, dhe e dyta që palëve t’iu përcillet mesazhi se për përmbajtjen e marrëveshjeve nuk po diskutojnë, por për formën e zbatimit.

“Do t’iu bëhet e qartë besoj unë që Bashkimi Evropian nuk lëkundet nga kushtëzimi që e ka vendosur në planin për rritje prej 6 miliardë eurove për krejt rajonin e në të cilin Serbia dhe Kosova kushtëzohen që të marrin pjesë në ato fonde investuese në bëjnë përparim në procesin e dialogut”, ka deklaruar Ymeri.

Në kontekstin në të cilin mbahet takimi, Ymeri nuk pret ndryshime të qëndrimeve ose pajtim për çështje të mëdha.

Se ky takim nuk do të prodhojë diçka konkrete pajtohet edhe ish-zëvendës ambasadori i Kosovës në Gjemani, Blerim Canaj.

“Nga ky takim nuk do të dali asgjë, pos që Lajçak do të përpiqet që të bëjë diçka, nëse bën diçka do të dal i suksesshëm, palët tjera tregohen që janë konstruktive kur flitet për takime tëtilla iu përgjigjen takimeve dhe këtu përfundon e tërë historia.”, ka deklaruar Canaj.

Canaj është i sigurt se për asociacionin është i pashmangshëm presioni edhe brenda këtij takimi.

Për herë të fundit takim të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq ka pasur më 14 shtator të vitit të kaluar, 10 ditë para sulmit në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.