FOTO

Aleati i Navalnyt zotohet të vazhdojë luftën kundër Putinit pasi u sulmua me çekiç

Leonid Volkov, ndihmësi i liderit të ndjerë të opozitës ruse, Alexei Navalny, është zotuar të vazhdojë luftën kundër presidentit rus Vladimir Putin pasi u sulmua me çekiç jashtë shtëpisë së tij në Lituani, shkruan The Guardian.

“Ne do të punojmë dhe nuk do të dorëzohemi”, ka thënë ai në një videoklip të postuar në Telegram herët të mërkurën, duke pretenduar se sulmi që ia theu krahun ishte “përshëndetje karakteristike banditeske” nga pasardhësit e Putinit.

Volkov, 43 vjeç, u shtrua në spital për pak kohë pas sulmit të martën vonë, gjë që shkaktoi zemërim në qeverinë lituaneze.

“Burri më sulmoi në oborr, më goditi në këmbë rreth 15 herë. Këmba disi është në rregull. Më dhemb kur eci… Megjithatë, e theva krahun”, ka thënë Volkov në postimin në Telegram.

Volkov është një nga figurat më të shquara të opozitës ruse dhe ishte i besuari i Navalnyt. Punoi si shef i shtabit të liderit të ndjerë dhe udhëhoqi Fondacionin Kundër Korrupsionit të Navalnyt.

Sulmi ndaj Volkovit vjen pothuajse një muaj pas vdekjes së papritur të Navalnyt në një burg të Arktikut, për të cilin Volkov dhe e veja e Navalnyt, Yulia fajësuan drejtpërdrejt presidentin rus.

Një ditë para se të sulmohej, Volkov shkroi në rrjetet sociale: “Putini vrau Navalnyn. Dhe shumë të tjerë para tij”, duke i bërë jehonë pretendimeve të ngjashme të bëra nga aleatët e Navalnyt, si dhe nga presidenti amerikan Joe Biden.

VIDEO BONUS: FSK furnizohet me 15 kamionë gjermanë, Kurti: Serbia është agresive, por kjo nuk na frikëson