Albin Kurti ua thotë në sy ndërkombëtarëve: Ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia

Ambasadorët e QUINTit dhe Shefi i Zyrës së BE kanë zhvilluar sot një takim me Kryeministrin Albin Kurti dhe Ministrin Sveçla, ku kanë diskutuar për reciprocitetin në targa.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se Kurti ka deklaruar se te çështja e reciprocitetit ose kanë të drejtë të dyja shtetet, ose e kanë gabim të dyja.
“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia, theksoi kryeministri Kurti. Ai i njoftoi ambasadorët edhe për bisedën telefonike që ka pasur mbrëmë me Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Josep Borrell”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq ministri Sveçla tha se qytetarët serb nuk kanë pse ndihen të frikësuar.

”Qytetarët serbë nuk kanë pse të ndjehen të frikësuar, potencoi ai. Masat e ndërmarra nuk janë kundër atyre dhe as kundër ndokujt tjetër. Policia nuk merret me nacionalitetin e udhëtarëve. Ajo i mbron e respekton të gjithë qytetarët pa dallim, tha ministri”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti dhe ambasadorët e QUINTit u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata të mos eskalojë.