Akademia e Shkencave thotë se Kosova po shkon drejt zhbërjes për shkak të vendimeve populiste të Kurtit

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës [AShAK] që drejtohet nga akademik Mehmet Kraja, ka bërë një reagim të ashpër ndaj klasës politike të vendit pas zhvillimeve të fundit në të cilat duket qartë se raportet e vendit tonë me aleatin më të madh, ShBA-në janë prishur ndjeshëm.

Madje, Akademia nuk ngurron të shpreh befasinë me reagimin e klasës politike, dhe duke thënë se kjo gjë po e çon Kosovën drejt [sic] zhbërjes.

Ai e quan kauzë populiste të Qeverisë Kurti mos-tërheqjen e tarifës sipas kërkesës amerikane, ndërsa duket se i mëshon edhe presidentit Thaçi në një mënyrë.

“Askush nuk ka besuar dhe nuk beson se kauza populiste e një qeverie, mbijetesa politike e një presidenti, kërcënimi i Gjykatës Speciale, ose konflikti ndërmjet proveniencave të ndryshme politike dhe ideologjike mund të ketë më shumë rëndësi se vetë Kosova, sikundër që askush nuk beson se konfliktet dhe betejat tona politike kanë në prapavijë synime të larta dhe ideale të mëdha.” – shkruhet në komunikatë.

Më poshtë po iu lëmë me reagimin e plotë dhe të paredaktuar të AShAK-ut:

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në vend si pasojë e mos pajtimeve rreth heqjes së taksës, gjë e cila ka çuar deri te kërcënimi amerikan për tërheqjen e forcave ushtarake nga Kosova. ASHAK shprehet e befasuar me reagimin e klasës politike, e cila sipas saj, me një lehtësi të madhe ka vënë në dyshim arritjet e Kosovës, duke e çuar atë afër zhbërjes. “Askush nuk ka besuar dhe nuk beson se kauza populiste e një qeverie, mbijetesa politike e një presidenti, kërcënimi i Gjykatës Speciale, ose konflikti ndërmjet proveniencave të ndryshme politike dhe ideologjike mund të ketë më shumë rëndësi se vetë Kosova, sikundër që askush nuk beson se konfliktet dhe betejat tona politike kanë në prapavijë synime të larta dhe ideale të mëdha”, thuhet në reagim. ASHAK konsideron se Kosova nuk mund të humbë mbështetjen ndërkombëtare për shkak të një klase politike të korruptuar. “Ne nuk mund të pranojmë që për interesa të Serbisë, të mbijetesës së një klase politike nacionaliste në zgjedhjet që do të mbahen atje, Kosova të përfshihet në krizë dhe të bëjë koncesione deri në humbje të subjektivitetit shtetëror, të rregullimit të brendshëm kushtetues, apo të tërësisë territoriale dhe integritetit; sikundër që nuk mund të pranojmë që një klasë politike, e përfshirë në betejë të paparimtë për pushtet, ta vendos Kosovën në një “zjarr të kryqëzuar” hipotetik ndërmjet miqve tradicionalë dhe njësoj të rëndësishëm, SHBA-së dhe BE- së, duke shpallur së fundi Brukselin “armik të Kosovës”, po atë Bruksel ku kemi ngarendur deri së fundi për të arritur marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për të bërë marrëveshje poshtëruese për Kosovën dhe ku synojmë një ditë të përfshihemi në integrimet euro-atlantike . Por ne njëkohësisht nuk mund të pranojmë që paqëndrueshmëria e koalicionit qeverisës të përdoret për t’i dhënë edhe më shumë dilemë qëndrueshmërisë së shtetit të Kosovës, duke e bërë atë të luhatshëm dhe me një perspektivë të zymtë”, thuhet më tej në reagim. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ngre zërin fuqishëm për tejkalimin sa më të shpejtë të situatës së tanishme të mosmarrëveshjeve të brendshme politike, duke ndjekur agjendën shtetërore në përputhje me përgjegjësitë për të cilat janë zotuar. Njëkohësisht ASHAK i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare, veçmas përkrahësit e fuqishëm të pavarësisë së Kosovës, që të kenë mirëkuptim për mangësitë, mungesat dhe dështimet e klasës sonë politike dhe ta vazhdojnë mbështetjen për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur.