A ka të drejtë Kuvendi të krijojë Komision Hetimor për qeveritë e kaluara? Flet Ehat Miftaraj

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot dy komisione që do t’i hetojnë çështjet në sektorin e energjisë. Njëri prej tyre u propozua nga Partia Demokratike e Kosovës, kurse tjetri nga Lëvizja Vetëvendosje.

Partia Demokratike e Kosovës po kërkon që kryesisht të hetohet periudha që prej shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe krizës me të cilën u përball vendi, raporton Demokracia.com.

Kjo parti, po ashtu, ka kërkuar që të hetohen edhe punësimet e fundit për të cilat kishte shumë ankesa, pasi dhjetëra persona të afërt me LVV-në u rehatuan nëpër pozita në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje është duke kërkuar që të hetohen investimet kapitale në KEK gjatë periudhës 2006-2022, si dhe punësimet që u bënë gjatë kësaj kohe.

Demokracia.com ka biseduar me drejtorin ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, rreth mandatit që ka një legjislaturë dhe nëse ajo ka të drejtë të hetojë çështje që kanë të bëjnë me qeveritë e kaluara, që janë zgjedhur nga legjislatura të tjera.

Një gjë e tillë lejohet, sipas Miftarajt, pasi që si praktikë është përdorur edhe më herët.

“Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, Kuvendi me kërkesën e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve, formon komisione për një çështje të veçantë, duke i përfshirë edhe çështjet hetimore, pa e lidhur me afate ligjore ose legjislatura të caktuara. Kështu që në parim Kuvendi mundet me themelu Komision Hetimor, ku kryesia ia përcakton fushëveprimin (që nënkupton edhe afatin kohor). Po ashtu, ka praktika të mëhershme kur Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisione Hetimore, ku legjislatura të caktuara kanë hetuar për periudha kohore që kanë përfshirë legjislaturat e mëhershme”, ka thënë Miftaraj për Demokracia.com.

Ndryshe, votimi i këtyre komisioneve në Kuvend ka ardhur pas debateve të shumta, që shpeshherë edhe eskaluan mes opozitës dhe pushtetit.

Pamje të tilla ndodhën edhe sot, por më pas të dy palët diskutuan në zyrën e kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe gjetën kompromis që të votohen të dyja komisionet hetimore.

Më poshtë gjeni disa nga komisionet hetimore të formuara gjatë viteve:

Komisioni hetimor për trazirat e marsit 2004 – Komision për trazirat e marsit

Komision hetimor për auditorin e përgjithshëm 2005

Komision hetimor në vitet  2006 dhe 2007

Komision hetimor për faturimin e energjisë elektrike 2013

Komision hetimor për deportimin e shtetasve turq 2018

Komision lidhur me punësimet në shërbimin civil

Komision hetimor për shpenzime te presidencës 2016

Komision hetimor për privatizimin e PTK – Telekomit

Komision hetimor për privatizimet

Komision hetimor për çështjen e pandemisë.