Këshilli i Evropës

Letra e garancisë për Asociacion pas anëtarësimit në KiE, Kurti: Më shumë se aq s’mund të na kërkojë askush

Kryeministri Albin Kurti kujtoi sot një “letër garancie” që ai, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca ua paraqitën bashkësisë ndërkombëtare, ku përfshihej edhe zotimi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, pas anëtarësimit të vendit në Këshillin e Europës.

Ndërsa tregoi se po refuzon një kusht të ri për Asociacionin në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në KiE këtë muaj, Kurti tha se askush nuk mund të kërkojë më shumë se ajo letër, raporton Gazeta Express.

“Më datë 22 mars, sivjet, pra 2024, kur po shënonim 3-vjetorin e zgjedhjes së Qeverisë sonë, bashkë me presidenten e Kosovës, kryetarin e Kuvendit dhe unë si kryeministër, pra tre krerë institucionesh të shtetit të nivelit më të lartë dhamë një letër garantuese me zotimet tona për të ardhmen pas anëtarësimit, tamam siç na u kërkua”, tha Kurti.

“Natyrisht që ne nuk mund të themi që garancat tona të nivelit me të lartë nuk janë garanca të vlefshme. Më shumë se ajo letër nuk mund të kërkojë askush”, shtoi ai.