MKRS
4 mijë euro vetëm për dreka dhe darka| Ku u shpenzuan mbi 15 mijë euro për gjashtë muaj nga drejtuesit e MKRS-së?
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ka shpenzuar plot 15 mijë e 847 euro. Këto para u shpenzuan nga ministri Hajrulla Çeku dhe dy zëvendësit e tij Daulina Osmani dhe Sylejman Elshani.
Sipas të dhënave që ka siguruar Telegrafi nga qasja në dokumentet publike, vetëm ministri Çeku për gjashtë muaj ka shpenzuar 8 mijë e 100 euro.
Zëvendësministrja Daulina Osmani shpenzoi 4 mijë e 046 euro, ndërkaq zëvendësministri Sylejman Elshani i vetëm shpenzoi 2 mijë e 414 euro.
Nga 15 mijë e 847 euro sa u shpenzuan në total për gjashtë muaj nga treshja e MKRS-së, 3 mijë e 834 euro u shpenzuan vetëm për bileta për udhëtime zyrtare. Këto udhëtime u realizuan në Vienë, Gjenevë, Turqi, Bruksel, Venecia, Palermo e Kongo.
![](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2023/11/397411116_871740137687392_5319614046068746420_n.png)
Gjatë këtyre udhëtimeve zyrtare, ministri Çeku dhe zëvendësministrja Osmani morën edhe mëditje. Të dy së bashku për gjashtë muaj morën 1 mijë 152 euro, prej tyre 712 euro mori ministri Çeku dhe 440 euro zëvendësministrja Osmani.
Sipas të dhënave nga qasja në dokumentet publike, figuron se për akomodim gjatë udhëtimeve zyrtare, u shpenzuan 1 mijë e 644 euro.
Për dreka dhe darka zyrtare, treshja e MKRS-së përfshirë edhe kabinetin e ministrit shpenzuan në total 4 mijë e 479 euro.
Disa nga këto dreka dhe darka u shtruan me rastin e vizitës së futbollistes me famë botërore Kosovare Asllani, pastaj për delegacionin nga Shqipëria përkatësisht zëvendësministrin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në Shqipëri dhe krerëve të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, shkruan Telegrafi.
![](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2023/11/386870905_881738656875903_4476903759539224408_n.png)
Nga janari deri në korrik, Çeku, Osmani shpenzuan 473 euro për telefoni mobile, ndërkaq zëvendësministri Elshani nuk shpenzoi asnjë cent.
Sa i përket shpenzimeve për derivate treshja e MKRS-së, shpenzuan 3 mijë e 994 euro.
Prej tyre 1 mijë e 661 euro u shpenzuan vetëm nga ministri Hajrulla Çeku, 520 euro të tjera nga zëvendësministrja Daulina Osmani dhe 1 mijë e 812 euro nga zëvendësministri Sylejman Elshani.