Policia e Kosovës shkon në kullën e vrojtimit në Koshare, por aty nuk ka flamur serb siç mashtruan mediat serbe

Një fotografi e postuar në Instagram të një profili serb ku shihej një flamur serb i vendosur në Kullën e Vrojtimit në Koshare, ka ngjallur shumë reagime sot në Kosovë, përfshirë edhe veteranët e UÇK-së. Ky flamur, sipas ‘Blicit’ serb është bërë pak ditë pas shënimit të 22-vjetorit të Betejës së Kosharës. Mirëpo, vendosjen e flamurit e ka demantuar Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se ekipet e PK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe aty nuk ka pasur flamur serb.

“Lidhur me disa shkrime në median serbe ‘blic’ por edhe në rrjete të ndryshme sociale, se gjoja një flamur i Serbisë është vendosur në kullën e vrojtimit në Koshare, ju konfirmojmë se Policia e Kosovës demanton shkrime të tilla që kanë për qëllim dezinformimin e qytetarëve dhe ju njoftoj se njësitet kompetente policore për menaxhimin dhe kontrollin kufitar të Republikës së Kosovës janë duke kryer detyrat dhe patrullimet e rregullta edhe në atë lokacion. Sipas raportimeve aktuale nga njësitet policore kufitare dhe verifikimeve nga ai lokacion një lajm i tillë nuk është i vërtetë. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë së përgjithshme në vend, përfshirë edhe menaxhimin dhe kontrollin kufitar sipas mandatit të saj ligjor dhe kushtetues. Në vijim po ju përcjellim edhe fotot nga lokacioni i apostrofuar te datës 13.06.2021”, ka thënë ai.