Ministrja Hajdari provon ta arsyetojë deklaratën për reciprocitet: Kam thënë që mos t’ia vendosim menjëherë Serbisë

Ministrja e  Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një konferencë sot gjatë ditës ka thënë se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por, Hajdari tash përmes një postimi në “Facebook”, po thotë se kjo deklaratë e saj është keqinterpretuar.

Duke u arsyetuar, Hajdari pohoi se ka thënë se nuk kanë dashur që t’i vendosin menjëherë masat e reciprocitetit me Serbinë.

“Deklarata ime në konferencën e sotme rajonale të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, lidhur me vendosjen e masave të reciprocitetit është keqinterpretuar. Unë nuk kam thënë se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve, por kam thënë se nuk kam dashur që t’i vendosim menjëherë masat e reciprocitetit me Serbinë”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

Më tutje Hajdari ka deklaruar se i reciprociteti është parim i shëndoshë i raporteve normale në mes të shteteve.

Postimi i plotë:

Deklarata ime në konferencën e sotme rajonale të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, lidhur me vendosjen e masave të reciprocitetit është keqinterpretuar. Unë nuk kam thënë se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve, por kam thënë se nuk kam dashur që t’i vendosim menjëherë masat e reciprocitetit me Serbinë.

Aktualisht po i finalizojmë analizat e gjendjes së raportit tregtar, para se të veprojmë. Tani kemi edhe drejtor të ri të doganave dhe meqë shumë prej barrierave të Serbisë nuk janë sistemike por sporadike, ne na duhet t’i përgatisim mirë zyrtarët tanë doganorë për ta zbatuar reciprocitetin.

Në Qeverinë Kurti 1 e patëm vendosur reciprocitetin gradual pas dy muajve.

Reciprociteti është parim i shëndoshë i raporteve normale midis shteteve.

Ne nuk e kemi reciprocitetin si armë hakmarrjeje, por si parim që del nga koncepti i barazisë. Do ta vendosim reciprocitetin, jo për të ngritur barriera, por për t’i hequr ato. Dhe për t’i mbrojtur qytetarët nga shkelja e dinjitetit dhe e të drejtave.