Përkujtohet masakra në rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë

Në 22 vjetorin e masakrës në rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë, kryetari i komunës Agim Bahtiri dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë vendosur buqeta me lule dhe kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore ku janë të vendosur emrat e të rënëve.

I pari i Mitrovicës tha se kjo ishte masakra më e madhe e forcave policore serbe që kanë bërë brenda qytetit të Mitrovicës ndaj popullatës së pafajshme shqiptare.

“Sot jemi mbledhur këtu të përkujtojmë të gjithë ata të cilët padrejtësisht dhe në mënyrë barbare humbën jetën e tyre. Ne si institucione lokale kërkojmë nga institucionet e nivelit qendror, respektivisht kryeministri Albin Kurti, që sa më parë të kërkojë drejtësi për këta qytetarë dhe për të gjithë të rënët, sepse vetëm kështu drejtësia do të shkojë në vend dhe kriminelët do të marrin dënimin e merituar”.

Konjufca, në prani të familjarëve të martirëve, ka thënë se duhet të ngritet padi për gjenocidin serb për të gjitha krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës.

Ai ka shtuar se këta martirë nuk mund të pushojnë të qetë, përderisa kriminelët serbë mbesin të lirë.

Në këtë masakër, që është njëra ndër më të mëdhatë në Komunën e Mitrovicës, nga kriminelët serbë janë të vrarë 31 shqiptarë.