Interi me përmbysje të madhe para sfidës me Realin, Mkhitaryan shkëlqen sërish për Romën VIDEO

Nga 0-2, Interi ka përmbysur gjithçka në San Siro, për ta mposhtur në fund 4-2 Torinon. Në këtë xhiro në Serie A, pikët e plota i ka marrë edhe Roma, që në Olimpico e mundi 3-0 Parmën.

Interi i Antonio Contes e ka treguar fytyrën e vërtetë të dielën mbrëma në ‘San Siro’.

Zikaltrit kanë rrëmbyer pikët e plota me përmbysje, duke triumfuar në fund 4-2.

Mysafirët i shokuan vendasit në minutën e 45’ me Simone Zazan dhe 62’ me Cristian Daniel Ansaldin, që shënuan për 0-1 dhe 0-2.

Por, goli i dytë i mysafirëve sikur i zgjoi nga gjumi vendasit pasi nga minuta e 64’, përmbysën gjithçka deri në fund dhe fituan 4-2.

Fillimisht Alexis Sanchez dhe Romelu Lukaku shënuan në minutat 64’ dhe 67’ për të barazuar gjithçka.

Goli i përmbysjes së madhe erdhi në minutën e 84’, për 3-2 ka shënuar Romelu Llukaku, nga pika e bardhë, penallti që u akordua pas konsultimeve me VAR.

Kurse goli i qetësisë dhe fitores erdhi nga Lautaro Martinez, që në këtë ndeshje hyri në pjesën e dytë. Ai shënoi për 4-2 në minutën e 90.

Pas kësaj fitore, Interi ka shkuar në kuotën e 15 pikëve në vendin e pestë.

Roma – Parma 3:0

Fitore sonte ka arritur edhe Roma, që e mposhtu 3-0 Parmën, me tre gola në pjesën e parë.

Henrikh Mkhitaryan ka vazhduar me formën e mirë në Serie A.

Ai ka shënuar edhe dy gola të tjerë për Romën në ndeshjen kundër Parmës.

Ish mesfushori i Manchester United dhe Arsenal, shënoi në minutat 32’ dhe 40, për 2-0 dhe 3-0, derisa golin e parë e ka shënuar ish sulmuesi i Real Madridit, Borja Mayoral.

Mkhitaryan, tashmë 31-vjeçar, ka shkuar në kuotën e pesë golave në Serie A në tetë paraqitje.

Me këtë fitore, Roma ka shkuar në kuotën e 17 pikëve dhe renditet në vendin e tretë në Serie A.