Thaçi nderon me Medalje Presidenciale shkrimtarët, Konushevci, Krasniqi dhe Bashota

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme ka dekoruar me Medalje Presidenciale të Meritave shkrimtarët, Milazim Krasniqi dhe Sali Bashota.

Thaçi në një postim në “Facebook” po ashtu bëri të ditur se këtë medalje e ndau edhe për shkrimtarin e shquar Avdullah Konushevci pas vdekjes së tij.

Sipas Thaçit, të dekoruarit me punë dhe përkushtim të pandalshëm i ka dhënë frymë të re studimeve albanologjike dhe vlera kombëtare letërsisë shqipe.

Milazim Krasniqi, përgjatë tetorit solli librin “Kosova fatkeqe”, duke treguar për motivin që e shtyu ta shkruante:

“Fatkeqësia e parë e Kosovës është se në themelet e saja është miti serb për Kosovën i cili gjeneron politikat shtetërore dhe religjioze serbe, fatkeqësia e dytë e Kosovës është elita politike të cilët janë të papërgjegjshëm dhe të paaftë për të ndërtuar një shtet të jetueshëm dhe me vlera demokratike. Kurse fatkeqësia e tretë janë faktorët ndërkombëtar që me politikat e tyre jo korrekte shpesh herë kanë mbajtur anën e Serbisë, sikur në rastin e Gjykatës Speciale”.

Ndërkaq, Sali Bashota, ka botuar librin “Pëshpëritja e agonisë” në maj të këtij viti. “Pëshpëritja e agonisë”, mund të jetë një libër i shpalosjes së ankthit dhe i situatave ekzistenciale, në të cilin dimensioni psikologjik e rikuptimëson frymën njerëzore, përbrenda një realiteti të ri dhe të panjohur në rrethana të tilla për njerëzimin që ka të bëjë me frikën nga e keqja e padukshme.