Afera 1 milionëshe që bashkon dy njerëzit e afërt të Kurtit

Dy njerëzit që lidhen ngushtë me aferën 1 milionëshe të organizatës jo qeveritare “Shtëpia e Shoqërisë Civile SHC”, i ka bashkuar edhe pushteti tek ish-kryeministri, Albin Kurti.

Përderisa Haki Abazi kishte postin e zëvendëskryeministrit në Qeverinë Kurti, Luan Dalipi ishte shef i kabinetit të Albin Kurtit.

Sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca gjyqësore kundër Jeta Xharrës dhe Dajana Berishës pas padisë që është ushtruar ndaj tyre nga Astrit Istrefi, Burim Ejupi e Visar Azemi lidhur me një kontest që ndërlidhet me Fondacionin “Shtëpia e Shoqërisë Civile SHC”, OJQ që e kishin bashkëthemeluar.

Në vitin 2017, Astrit Istrefi, Burim Ejupi, Visar Azemi, Jeta Xharra e Dajana Berisha ishin bërë bashkë për të themeluar Fondacionin “Shtëpia e Shoqërisë Civile SHC”. Të pestë ishin caktuar si anëtarë të bordit. Derisa në ndihmë u doli edhe Haki Abazi, i cili kishte arritur të thithte një donacion prej 1 milion eurosh nga Rockfeller Brothers Found, me seli në New York.

Ndikimi i Abazit në vendimmarrjen e këtij fondacioni ishte i padiskutueshëm me vet faktin që prona ishte blerë me ndihmën e tij, shkruan insajderi.

Sipas paditësve më 5 gusht mbahet një takim i fshehtë, mes Dajana Berishës, në cilësinë e Përfaqësueses së Autorizuar të Fondacionit, Jeta Xharrës e Haki Abazit, mbledhja ishte drejtuar nga Haki Abazi.

Në këtë mbledhje ishte vendosur që Astrit Istrefi, Burim Ejupi, Visar Azemi të zëvendësohen me tre anëtarë të rinj Faik Ispahiun, Fatos Lajçin e në mesin e tyre edhe shefin e kabinetit të ish-kryeministrit Kurti, Luan Dalipi.

Përderisa Haki Abazi i ishte bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje me 20 gusht të 2019-s, gjashtë muaj më vonë më 21 shkurt edhe Luan Dalipi i bashkohet partisë së Kurtit, duke u emëruar si këshilltari kryesor i tij – në kohën kur Kurti kishte postin e të parit të ekzekutivit.

“Luan Dalipi do të shërbejë si këshilltari kryesor imi si Kryeministër, për palët e brendshme dhe të jashtme të interesit për çështjet që kanë të bëjnë me Kryeministrin. Luani do të koordinojë punën e kabinetit qeveritar, me Zëvendës Kryeministrat, Ministrat, Zëvendës Ministrat dhe këshilltarët e qeverisë, do të mbështesë qeverinë në formulimin dhe zbatimin e politikave, strategjive dhe planeve, si dhe në komunikim dhe ngritje të vetëdijesimit”, kishte shkruar Kurti në Facebook në prezantimin që bëri rreth aderimit të Dalipit në Vetëvendosje.

Haki Abazi e Luan Dalipi, përveç se njerëz të afërt me Kurtin, ku kishin poste të rëndësishme në qeverinë e tij tanimë emri i tyre është përfshirë edhe në aferën 1 milionëshe.