Hoti i përgjigjet Kurtit: S’do të ketë gjakderdhje, problemet zgjidhen me mjete politike

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurtit, i cili tha se dikush po do gjakderdhje në Veri për t’i hapur shampanjat e ndarjes së Kosovës. Sipas Hotit, të gjitha problemet do të zgjidhen me mjete politike

“Këto ditë është përmendur shpesh fjala “gjakderdhje” nga disa politikanë, aq shumë saqë është bërë term i përdorur edhe në diskutime të problemeve financiare dhe ekonomike. Për fat të mirë, populli i Kosovës e ka kaluar kohën e gjakderdhjes. Nuk do të ketë asnjë gjakderdhje tjetër”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai po thotë se të gjitha problemet do të zgjidhen me mjete politike.

Të gjitha çështjet e pazgjidhura në politikën e brendshme dhe të jashtme, sado të vështira të jenë, do të zgjidhen me mjete politike, demokratike e kushtetuese. Këtë e sigurojmë ne, dhe ndjehemi besimplotë në këtë lloj qasje të zgjidhjes së çështjeve të hapura politike, sepse kështu na sigurojnë miqtë tanë euroatlantik”, shkruan Hoti.

Ndërkohë, ai thotë se në Kosovë ka politikanë të cilët termin gjakderdhje po e përdorin për të arritur qëllimet e tyre politike.

“Por, për fat të keq ende mbijetojnë politikanë në Kosovës që në projektet e tyre të garës politike zë vend termi “gjakderdhje” në kuadër të përpjekjeve për arritje të qëllimeve të tyre politike”, ka shkruar Hoti.