Enver Hasani

Hasani e përgënjeshtron ministren Haxhiu: Krimet e luftës s’mund të adresohen në Strasburg

Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, e profesori Enver Hasani, ka përgënjeshtrar Ministren e Drejtësisë Albulena Haxiu, e cila tha se pas anëtarësimit në Këshill të Evropës, do të hapet mundësia për të adresuar krimet e luftës.

Hasani në një intervistë për Gazetën Express, ka sqaruar se Gjykata e Strasburgut nuk ka lidhje me adresimin e krimeve të luftës në Kosovë.

“Nuk ka lidhje kjo gjykatë me krimet e luftës. Në mënyrë të njëjtë, as familjarët e të zhdukurve nuk mund të padisin Serbinë për personat e pagjetur. Kjo është kështu për shkak se kjo gjykatë nuk mund të ketë juridiksion për situatat dhe gjendjen e krijuar në kohën kur Kosova nuk ka qenë shtet sovran dhe i pavarur”, thekson Hasani.

Tutje ai e ka quajtur mashtrim brutal të njerëzve dhe lojë me ndjenjat e tyre, pretendimin se kjo Gjykatë do të merret me krimet e luftës.

“Është një mashtrim brutal i njerëzve dhe lojë me ndjenjat e tyre, kur thuhet e premtohet se pas anëtarësimit tonë në Këshill të Evropës, individët dhe familjarët e goditur nga fatkeqësitë e luftës mund të realizojnë të drejtat e tyre në Strasburg” ka thënë ai.