Si po e përjeton mbrojtësi i Juventusit infektimin me Koronavirus, e dashura jep detaje

E dashura e Daniele Ruganit, Michela Persico, ka treguar detaje për betejën e mbrojtësit të Juventusit me virusin COVID-19, teksa futbollisti po vazhzdon të qëndrojë i izoluar pasi doli pozitiv me Koronavirus.

Juventusi konfirmoi se Daniele Rugani është infektuar me Koronavirus në një njoftim të lëshuar të mërkurën. Pastaj, 25-vjeçari dërgoi një mesazh për ndjekësit e tij në rrjete sociale, ku shkroi:

“Ju me siguri i keni lexuar lajmet dhe për këtë arsye dua t’i siguroj të gjithë ata që po shqetësohen për mua, unë jam mirë”. “I inkurajoj të gjithë t’i respektojnë rregullat sepse virusi nuk bën dallime!”

 E dashura e tij, Persicio, tani ka folur për simptomat e Ruganit dhe përvojën lidhur me vendosjen në karantinë, në një intervistë të dhënë për gazetën italiane “Corriere della Sera”. 

“Para katër ditëve, Daniele pati ethe të lehta dhe temperatura i shkoi në 37.5. Atij iu kërkua të testohet dhe të nesërmen doli pozitiv. Por, ai nuk pati ethe serioze e as kollë apo diçka tjetër”, ka thënë Persicio. “Nga momenti i parë që e pa që ka pak ethe, vendosi me shumë përgjegjësi të izolohet për të më mbrojtur mua, ekipin dhe njerëzit me të cilët është në kontakt. Ne flasim shpesh edhe me video, ndihem mjaft e qetë. Ai është mirë dhe nuk ka simptoma. Kolegët e tij të tjerë, që s’kanë simptoma dhe s’janë testuar, kanë vendosur të izolohen për të mos i rrezikuar të tjerët”