Ramush Haradinaj e kritikon Albin Kurtin që u ulë pranë Marko Gjuriqit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar pjesëmarrjen e Albin Kurtit, njeriut që pritet të bëhet shef i ri i ekzekutivit të vendit, në një konferencë dërkombëtare, ku Serbinë e përfaqësonte shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Haradinaj ka thënë në emisionin “A Show”, me Adi Krastën, të transmetuar në televizionin T7, se Kurti, si kryeministër i ardhshëm i vendit, nuk është dashur të ulej në tryezë bashkë me Gjuriqin.

Ai ka vlerësuar se Kurti është dashur ta çonte në këtë tryezë një zyrtar më të ulët për ta përfaqësuar Kosovën.

“Kur është Gjuriqi, ai duhet ta çojë një zyrtar teknik”, është shprehur Haradinaj.

“Nëse është në konferencë zyrtare (presidenti serb, Aleksandar) Vuçiq apo (kryeministrja serbe, Ana) Bërnabiq, shkon kryeministri apo mandatari për kryeministër”, ka thënë ai.