Hoxha: Këtë muaj aktakuzat për rastin e vrasjes së Ivanoviqit
Prokuroria Speciale e Kosovës pritet që brenda këtij muaji t’i ngrisë aktakuzat e para rreth rastit të vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviqit.
“Këtë muaj – aktakuzat do të ngrihen brenda 15-20 ditëve të ardhshme”, tha për Kossev prokurori Sylë Hoxha.
Ai ka shtuar se prokuroria ka informata të reja në lidhje me rastin e vrasjes së politikanit serb, por që ato do të bëhen të ditura për publikun në kohën e aktakuzës.
Deri më tani shtatë persona akuzohen për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, domethënë për përfshirje në vrasje.
Ai u vra më 16 janar të vitit të shkuar para zyrës së partisë së tij Iniciatava Qytetare SDP në veri të Mitrovicës dhe deri më tani nuk është ngritur asnjë akuzë.