Ministri Ismaili kërkon nga baballarët të jenë më të pranishëm te fëmijët

Në kuadër të Muajit të Prindësisë, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili së bashku me gruan e tij, Arizona Bërdynaj kanë marrë pjesë në një bashkëbisedim me prindërit e ri, në kuadër të projektit të UNICEF-it në Kosovë.

Ministri Ismaili duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, foli për shumë çështje që kryesisht kanë të bëjnë me qasjen e baballarëve në rritje të fëmijëve. Mirëpo, foli dhe për shëndetësinë në nivel vendi.

I pari i shëndetësisë tha se ka ardhur koha që gjithë baballarët të jenë më të pranishëm te fëmijët. Ai mes tjerash theksoi se asnjë prind nuk e ka ekskluzivin e rritjes së një fëmije dhe duhet që bashkërish me bashkëshortet të bëhet një normë e re.

Ministri foli edhe për listën esenciale të barnave ku tha se me anë të udhëzimit administrativ do të ulen çmimet e barnave në nivel vendi.

Ndërkaq, Arizona Bërdynaj tregoi mbështetjen që ka marrë nga bashkëshorti, ministri Ismaili në procesin e rritjes së fëmijëve.
Ndryshe, prej datës 1 deri më 30 qershor njihet si Muaji i Prindësisë.