Dialogu Kosovë-Serbi

KIPRED: Qëndrimi i Rusisë ndaj konfliktit Kosovë-Serbi, i varur nga marrëdhëniet e saj me Perëndimin

Qasja e Rusisë ndaj konfliktit Kosovë – Serbi nuk ka qenë konsistonte dhe ka ndryshuar varësisht nga evoluimi i kontekstit të marrëdhënieve të Rusisë me Perëndimin. Kjo është gjetja kryesore e punimit të politikave me titull “Ndikimi i Rusisë në Dialogun Kosovë – Serbi të Ndihmuar nga BE-ja”, që të premten e ka publikuar Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED).

Në një komunikatë për media të KIPRED-it thuhet se ky punim analizon prapavijën historike të përfshirjes së Rusisë në marrëdhëniet e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë në sfondin më të gjerë të shpërbërjes së Jugosllavisë; ndërhyrjen e Moskës në procesin aktual të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet me ndihmën e BE-së; qëllimet e veçanta të Rusisë në procesin e dialogut; kryqëzimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë me interesat e sigurisë, ushtarake dhe ekonomike të Rusisë në rajon; dhe implikimet për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Gjetja kryesore e nënvizuar në këtë punim është që Rusia nuk e ka pasur konsistencë në qasjen e saj ndaj konfliktit në mes Kosovës dhe Serbisë. Në vend të kësaj, pozita e saj ka ndryshuar dhe është luhatur varësisht nga evoluimi i kontekstit të marrëdhënieve të Rusisë me Perëndimin”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë thuhet se janë 8 gjetje kryesore që e shpjegojnë qëndrimin e Federatës Ruse gjatë tërë shpërbërjes së Jugosllavisë, përfshirë edhe procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë që është duke ndodhur nën ombrellën e BE-së dhe me përkrahjen aktive të SHBA-ve.

Këto janë tetë gjetjet e raportit të publikuar nga KIPRED

E para, gjatë epokës së Jelcinit, qasja e Rusisë ndaj krizës në ish-Jugosllavi, në përgjithësi, përfshirë edhe Kosovën, e pasqyronte hutimin e Moskës lidhur me vendin e saj në një mjedis thellësisht të ri ndërkombëtar që po shfaqej me përfundimin e Luftës së Ftohtë. Politikat e Rusisë ndaj shpërbërjes së ish Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën, gjatë kësaj periudhe trajtësoheshin nga dy faktorë: së pari, marrëdhëniet e përgjithshme të Rusisë me Perëndimin; së dyti, pikëpamjet e vendim-marrësve kyç të politikës së jashtme në Moskë (domethënë, Kozyrevi përballë Primakovit).

E dyta, me shpërthimin e luftës në Kosovë, Rusia ishte pjesë e të gjitha përpjekjeve kryesore ndërkombëtare për ta zgjidhur krizën. Kështu, Rusia i përkrahu tri rezoluta të KS KB për Kosovën, të përvetësuara sipas Kapitullit VII të Kartës, por refuzoi t’i lejojë Këshillit të Sigurimit që ta autorizojë në mënyrë eksplicite intervenimin e NATO-s për t’i ndërprerë mizoritë masive të Serbisë në Kosovë. Me përfundimin e luftës në Kosovë, në qershor 1999, Rusia votoi në favor të Rezolutës 1244 (1999) së KS KB që e parashihte tërheqjen e të tërë aparatit shtetëror dhe të sigurisë të RFJ/Serbisë nga Kosova dhe që Kosovën e vente nën administratën ndërkombëtare (përfshirë misionin për zbatimin e paqes të udhëhequr nga NATO-ja).

E treta, Rusia nuk i pranoi rezultatet përfundimtare të përpjekjeve paqësore ndërkombëtare për Kosovën, dhe atë kryesisht si reagim nga pakënaqësia e saj e përgjithshme me Perëndimin. Kështu, Rusia e luajti një rol kyç në kuadër të Grupit të Kontaktit gjatë Konferencës së Rambouillet-së, në shkurtin 1999. Mirëpo, Rusia e tërhoqi përkrahjen e saj ndaj Marrëveshjes së Rambouillet-së, duke mos marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Paris. Skenari i njëjtë u përsërit gjatë bisedimeve të Vjenës për statusin përfundimtar të Kosovës, më 2006–2007. Rusia ishte një pjesë aktive e këtij procesi, por në momentin e fundit, refuzoi ta miratonte në KS KB propozimin për zgjidhjen e statusit të Kosovës, të paraqitur nga i Dërguari i KB, Martti Ahtisaari.

E katërta, ndërsa ishte jashtë tabelës së bisedimeve, në dialogun e ndihmuar nga BE-ja që filloi në marsin 2011, qëllimi kryesor i Federatës Ruse ishte që ta parandalonte dhe pengonte përfundimin e suksesshëm të procesit të dialogut, duke u përpjekur për ta diskredituar BE-në dhe Perëndimin, dhe që atë rol ta rikthente në KS KB.

E pesta, Moska procesin e dialogut nuk e sheh si të izoluar nga qëllimet e veta të përgjithshme gjeopolitike në Ballkan – dhe posaçërisht nga mbajtja e Serbisë dhe serbëve brenda orbitës ruse dhe nga pengimi i zgjerimit të BE-së dhe të NATO-s në rajon. Pavarësisht se Serbia edhe pse është në procesin e negociatave për anëtarësim në BE, ajo ka refuzuar që ta përafroj politikën e saj të jashtme me atë të BE-së në raport me Rusinë.

E gjashta, lufta në Ukrainë e ka shpalosur thellësinë e marrëdhënieve politike, të sigurisë dhe ekonomike midis Rusisë dhe Serbisë, të cilat janë forcuar edhe më tutje me ardhjen në pushtet të Partisë Progresive Serbe të Vučićit, dhe të Partisë Socialiste të Dačićit më 2012. Rusia përpiqet ta shfrytëzojë rastin e Kosovës, domethënë intervenimin e NATO-s më 1999 dhe shpalljen e pavarësisë më 2008, si një monedhë shkëmbimi për grumbullimin e përfitimeve në Ukrainë dhe në Gjeorgji, për t’i legjitimuar luftërat e veta aneksuese.

E shtata, mungesa e unanimitetit përbrenda komunitetit euro-atlantik ndaj Kosovës – me pesë vende të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës – ka krijuar më shumë hapësirë manovruese për Rusinë për t’i penguar përpjekjet perëndimore dhe për t’u angazhuar me këmbëngulje në rrënimin e themeleve të shtetësisë së Kosovës dhe për de stabilizimin e rajonit. Kjo hapësirë është krijuar nga fakti se për integrimin e Kosovës në BE dhe NATO nuk është i nevojshëm anëtarësimi paraprak në KB, ku Rusia e posedon të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit.

E teta, një shtysë e rëndësishme për Rusinë për ta ndikuar dialogun Kosovë–Serbi është fuqia e saj për ta bllokuar anëtarësinë e Kosovës në KB dhe në OSBE – anëtarësia e papenguar e Kosovës në organizatat ndërkombëtare është një nga shtyllat kyçe të marrëveshjeve të Brukselit/Ohrit, të vitit 2023.

BONUS VIDEO| Abelard Tahiri: VV-ja “nuk është më parti, por ka ushtarë të Dejona Mihalit”