​Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” me 6 mijë studentë të rinj

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka organizuar “Ditën e Orientimit të Studentëve të Rinj”.

Qëllimi i këtij aktiviteti është të mirëpresin studentët e rinj dhe t’i orientojnë ata nëpër fakultetet përkatëse.

Me këtë rast rektori i Universiteti të Prishtinës, Marjan Dema, u shpreh se Universiteti i Prishtinës është lider në trojet shqipfolëse.

Duke folur për rëndësinë që ka fillimi i studimeve Dema tregoi se këtë vit, Universiteti i Prishtinës mirëpret 6 mijë studentë të rinj.

Ndër tjera Dema foli edhe për simbolikën që ka 1 tetori si datë, pasi që kjo datë shënon edhe 22 vjetorin e fillimit të demonstratave nga ana e studentëve.

Ai theksoi se pikërisht ishin studentët e Universitetit të Prishtinës të cilët u vunë në kërkim të demokracisë dhe ngritën zërin e dijes.

Ndërsa si folës motivues për studentët e rinj, Universiteti i Prishtinës kishte zgjedhur aktorin e mirënjohur, Fatmir Spahiu, i cili tregoi copëza nga rrëfimi i tij për ditën e parë të studimeve.
Aktiviteti përfundoi me një program artistik i organizuar nga studentët aktual. Kujtojmë se ky është viti i dytë që Universiteti i Prishtinës ka organizuar “Ditën e Orientimit të Studentëve të Rinj”.

loading…