​“Tokio 2020” pa spektatorë

Lojërat Olimpike të Tokios që pritet të nisin brenda dy javësh, pas një shtyrjeje për shkak të pandemisë, do të mbahen pa spektatorë.

Lajmin e dha Guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike pas takimit me Komitetin Ndërkombëtar Olimpik dhe organizatorët japonezë të enjten.

Ndalimi erdhi disa orë pas shpalljes së një gjendjeje të jashtëzakonshme në kryeqytet duke filluar nga e hëna, nga kryeministri japonez, Yoshide Suga për të frenuar rritjen e rasteve me COVID-19.

Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, Thomas Bach mbërriti në Tokio të enjten vetëm disa orë para se të njoftoheshin masat e reja.

Ai do të kalojë tre ditë në vetë izolim në hotelin me pesë yje që strehon anëtarët e Komitetit Olimpik.

Japonia është prapa disa vendeve për sa i takon vaksinimit. Sipas agjencisë “Reuters”, vetëm një e katërta e popullsisë së vendit ka marrë dozën e parë të vaksinës.