​Tetë viktimat e aksidentit në Kroaci pritet të varrosen nesër, dy të tjerëve do t’iu bëhet obduksioni

Dhjetë trupat e pajetë, të cilët humbën jetën tragjikisht në aksidentin ne Kroaci, pritet që të transportohen nesër në Kosovë. Trupave të Kujtim Kastratit dhe Ahmet Hoxhës, njëri 40 vjeçar e tjetri 55, duhet t’iu bëhet obduksioni. Të dy ishin familjarë mes vete dhe për këta të fundit, nuk ka pasur të afërm të cilët e kanë konfirmuar identitetin e tyre pranë institucioneve kroate.

Kështu deklaroi për KosovaPress kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili gjatë ditës së sotme është kthyer nga Kroacia, ku gjatë dje kishe vizituar spitalin ku po trajtohen edhe dy të lënduar nga komuna e Rahovecit.

Anjeza Bellanica nga Krusha e Madhe dhe Kujtim Kastrati fshati Malësia e Vogël kanë humbur jetën në këtë aksident në qytetin Sllavonski Brod në Kroaci.

“Janë dy qytetarë nga komuna e Rahovecit të lënduar, janë nënë e bijë, të cilat po trajtohen në spitalin e Sllavonski Brod. Kam arritur t’i shoh, t’i vizitoj këto dyja, por edhe pacientët e tjerë të cilët po trajtohen në mënyrë jashtëzakonisht profesionale dhe të veçantë nga ana e gjithë personelit të qytetit Sllovanski Brod. Gjendja e të lënduarve është stabile. Natyrisht dje janë lëshuar 27 nga të lënduarit. Edhe 15 janë duke e marrë trajtimin shëndetësorë… Dy pacientë llogariten që e kanë gjendjen shëndetësore më serioze, por sipas informacioneve të mjekëve ata janë në intensivë por gjendja është stabile”, shprehet Latifi.

Më tej, ai tregon se gjatë ditës së nesërme pritet që të transportohen trupat e pajetë, ndërkohë që dy prej tyre duhet të presin analizat e ADN-së.

“Ne po besojmë që nesër ata do të arrijnë të kthehen në mëngjes në Kosovë dhe po besojmë që varrimi i tetë viktimave të këtij aksidenti të bëhet nesër. Ndërsa, i Kujtim Kastratit dhe Ahmet Hoxhës për shkak se duhet një konfirmim i forenzikës që të merren mostrat për analizat e ADN-së, sapo të konfirmohet gjithçka dhe të kthehen analizat e ADN-së, mund të shtyhet varrimi për një ditë… Për shkak se askush nga familjarët e këtyre dy familjeve nuk ishin në vendin e ngjarjes ose në spital. Kontakti i këtyre dy familje e ka qenë i paarritshëm me institucionet e shtetit kroat, me ambasadën tonë në Kroaci. Unë isha përfaqësues edhe i këtyre dy familjeve. Ata e kanë konfirmuar vdekjen e tyre, sepse janë në listën e të vdekurve edhe Kujtim Kastrati edhe Ahmet Hoxha, por meqenëse nuk e kanë pasur ndonjë nga familja, forenzika duhet të bëjë analizat dhe të riverifikohet edhe një herë se a janë trupat e pajetë të Kujtim Kastratit dhe Ahmet Hoxhës”, tregon ai.

“Komuna ofron gjithë solidaritetin e mundshëm, gjithë përkushtimin e mundshëm njerëzor e moral e qytetar që e kemi ne dhe detyrë dhe buron nga tradita jonë. Ne po përpiqemi me ju qëndrua afër familjeve që janë goditur nga kjo tragjedi e rëndë. Po përpiqemi t’iu qëndrojmë afër edhe familjeve që kanë të lënduar në këtë aksident”, deklaron Latifi.

I pari i Rahovecit tregon se në Kroaci është takuar edhe me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, atë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kolonelin Skënder Hoxha dhe familjarë e persona të lënduar si shkak i këtij aksidenti.