​Shënohet Dita Botërore e Autizmit, kërkohet përkrahje institucionale për fëmijët autik

Me moton “Të gjithë dallojmë, jo vetëm unë”, shoqata AUTIZMI ka shënuar ditën Botërore të Autizmit.

Me dhjetëra qytetarë, përfaqësues të organizatave, e personalitete politike, kanë marshuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek Teatri Kombëtar i Kosovës.Nga aty përfaqësues të organizatave u kanë bërë institucioneve për përkrahje të kësaj kategori shoqërore.Në emër të shoqatës Autizmi, Sunita Kurti ka kërkuar qasje të barabartë për personat me autizëm.

“ Ata kanë nevoja të ndryshëm, si për trajtim, për qasje të barabartë në shoqëri, dhe për pranim mbi të gjitha. Prandaj, duke shfrytëzuar rastin në ditën botërore të Autizmit, ju bëjë thirrje të gjitha organeve që ndihen kompetent për të ndihmuar këtë kategori, komunitetin e autizmit, që të mos lënë anash prindërit e tyre, ju bëjë thirrje që të kontribuojnë më shumë për këtë kategori në mënyrë që të integrohen në shoqëri dhe ata të japin më të mirën prej tyre, sepse edhe ata munden”, tha ajo.

E pranishme në këtë marsh, ishte edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila kërkoi nga institucionet përkrahje më të madhe për këtë kategori shoqërore. “Kanë nevojë për një përkrahje më të madhe institucionale dhe shoqërore, kanë nevojë më të madhe për përkrahje sa i përket vendosjes dhe implementimit të ligjeve, të cilat thirren kryesisht për përkrahjen e kësaj kategorie të fëmijëve tanë, për çështjen sidomos në qasjen në shëndetësi dhe sigurimin e psikologëve të duhur, kujdestarëve të duhur, për brenda institucioneve”, tha ajo.


Gjithëpërfshirja e këtyre fëmijëve, dhe mos stigmatizimi, sipas deputetes Mimoza Kusari-Lila, është mesazhi kryesor që duhet të përçohet në këtë ditë. Sipas saj, këta fëmijë kanë nevojë edhe për ndihmë dhe tretmane falas.

“ Personat me autizëm kanë nevojë për një mbështetje më të madhe. Përveç se kanë nevojë për psikolog, kanë nevojë për tretmane të vazhdueshme, sot prindërit e fëmijëve me autizëm paguajnë vet tretmanin e fëmijëve në shoqatën “Autizmi”, prandaj si mekanizëm institucional dhe si shtet duhet që këto tretmane dhe këto terapi të domosdoshme të mbulohen nga shteti. E, si e para dhe më e rëndësishmja, është identifikimi i personave me autizëm në shoqëri, të dihet saktë se sa është numri i personave me autizëm”, tha Kusari-Lila.

Mes tjerash, ajo tha se është e rëndësishme që të punohet me fëmijët në shkolla, në mënyrë që të luftohet stigmatizimi i personave autik.E, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema u zotua se UP do të ketë një rol shumë të rëndësishëm në involvimin e komunitetit.

“Universiteti i Prishtinës është në proces të transformimit të rolit të tij. Prej një Universiteti që nuk ka qenë shumë i involvuar në komunitetin, me një Universitet i lidhur ngushtë me komunitetin.

Jemi shumë të interesuar që ta japim rolin tonë në të gjitha fushat, pikërisht prania ime është që ta dëshmojë atë ose ta ndihmojmë këtë pjesë, të shoqërisë sonë, të shtetit tonë që pa dashje i takojnë kësaj kategorie, e ne duhet të marrim pjesë, të bashkëjetojmë me ta, t’i trajtojmë si pjesë e jona”, tha Dema.

I pakënaqur, me përkrahjen e Qeverisë, doli të jetë Agim Vatovci, nga shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuara.“Unë e ftoj Qeverinë e Kosovës që të mos bëjë dallime në shoqata. Përpos shoqatës së të verbërve që është ka e financon, tjera shoqata janë në buzë të greminës, duke u mbyllur.

Prandaj, njerëzit që punojnë afër kryeministrit i ftoj që të kenë pak vesh dhe le të kenë pak ndjenja shoqërore, se edhe kjo shtresë e autizmit, kanë nevojë për ndihmë financiare”, tha ai.