Kosovë

European Pravda: Serbët e veriut janë rob i propagandës pro-serbe dhe pro-ruse

Zakonisht, kur njerëzit flasin për veriun e Kosovës, mendojnë për Mitrovicën, një vend që ka ardhur për të simbolizuar konfrontimin mes serbëve dhe shqiptarëve. Në Ukrainë njihet për një mural famëkeq që mbështet aneksimin e Krimesë, i cili përfshin sloganin “Kosova është Serbi – Krimea është Rusi”.

Kështu thuhet në tekstin e European Pravda i cili ka vizituar Banjskën, vendin në të cilin thotë se simbolet pro-ruse po përhapen më thellë në rajon.

Ka shumë shkronja “Z” (simbol i pushtimit rus të Ukrainës) dhe thirrje që Rusia të shpëtojë serbët nga “pushtimi shqiptar””, shkruan European Pravda që njihet si burimi kryesor i lajmeve në Ukrainë për BE-në dhe botën perëndimore

“Dhe kjo nuk është për t’u habitur. Serbët vendas, që jetojnë në një flluskë informacioni, nuk e shohin luftën aktuale si një luftë kundër Ukrainës, por si kryengritjen e shumëpritur kundër hegjemonisë perëndimore – kryengritja që serbët e Kosovës shpresojnë se do t’i shtyjë kufijtë e Serbisë dhe do t’i sjellë në shtëpi”.

 Sipas EP, grafitet në rrugë në veri të Kosovës janë një kombinim i propagandës pro-serbe dhe pro-ruse.

Serbët e veriut, sipas të njëjtit medium, janë rob i propagandës.

“Propaganda serbe është shumë e ndërlidhur me propagandën ruse”, thotë gazetarja kosovare Jeta Xharra, e specializuar në luftën kundër dezinformatave ruse në rajon. “Në veçanti, ndërlidhen paralele mes Kosovës dhe Ukrainës – ata thonë se serbët e Kosovës po shkatërrohen në të njëjtën mënyrë si Donbasi, dhe për këtë arsye ata duhet të shpëtohen”.

Mediumi pohon se kjo propagandë është jashtëzakonisht efektive.

“Është arsyeja pse nuk ka një qeverisje të mirëfilltë lokale në veri të Kosovës për gati dy vjet. Në vitin 2022, gjatë protestave të fundit kundër vendimeve të qeverisë qendrore, të gjithë deputetët lokalë në veri të Kosovës dhanë dorëheqje. Qeveria qendrore shpalli zgjedhje të reja, por Beogradi u kërkoi serbëve t’i injoronin ato, dhe ata e bënë”.

EP i ka kushtuar një pjesë të tekstit edhe votimit të dështuar në veri.

Sipas këtij mediumi, pjesëmarrja e ulët e paprecedentë, me vetëm disa vota etnike serbe, e vuri në pikëpyetje legjitimitetin e autoriteteve të reja lokale – edhe pse ata ishin zgjedhur sipas shkronjës së ligjit.

“Përfundimisht, nën presionin e Perëndimit, Prishtina u pajtua për zgjedhje të parakohshme – ose më saktë, për të mbajtur një referendum në të cilin populli i veriut të Kosovës do të mund të shprehte mendimin e tij për nevojën për zgjedhje të reja. Megjithatë, referendumi dështoi pasi, nën presionin e Beogradit, serbët vendas qëndruan përsëri larg votimeve”.

Kjo histori tregon se përkundër retorikës, autoritetet serbe nuk kanë interes për zgjidhjen e situatës.

“Përkundrazi, Serbia dëshiron një konflikt të përhershëm që i mundëson asaj të bërtasë për shkeljen e të drejtave të pakicave në Kosovë dhe natyrën jodemokratike të qeverisë së Kosovës në pjesën tjetër të botës. Dhe deri më tani, ia ka dalë shkëlqyeshëm!”

Presioni përmes rrjeteve sociale

Por autoritetet serbe kanë në dispozicion më shumë sesa thjesht propagandë.

Kjo duket qartë nga situata me policinë në veri të Kosovës. Në vitin 2022, oficerët e policisë dhanë dorëheqjen së bashku me deputetët vendas.

Policia në veri të Kosovës tani udhëhiqet nga nënkoloneli Veton Elshani. Më saktë, Elshani mban pozitën e zëvendësdrejtorit të policisë, pasi sipas marrëveshjeve, policia në veri të Kosovës duhet të drejtohet nga një serb etnik. Mirëpo, ende nuk është gjetur një person i tillë, kështu që në krye të detyrës përkohësisht është një shqiptar etnik.

Ka një marrëveshje tjetër që është shumë më e vështirë për t’u përmbushur: përbërja etnike e policisë duhet të korrespondojë me përbërjen etnike të popullsisë së komunave ku ata punojnë. Kjo do të thotë se serbët duhet të përbëjnë rreth 90% të forcës policore në veri të Kosovës. Megjithatë, për momentin vetëm rreth 40 nga 350 policë janë serbë.

Nënkolonel Veton Elshani shton se rreth 30 policë të tjerë janë përfaqësues të pakicave të tjera etnike: ata nuk janë serbë, por nuk janë as shqiptarë. Megjithatë, është e qartë se jo shumë nga policët janë serbë lokalë – shumica e tyre vijnë nga komunitetet serbe në rajone të tjera të Kosovës.

Ndryshe nga veriu, këto komunitete nuk kanë iluzione për një kthim të mundshëm në Serbi dhe kjo i inkurajon ata të integrohen në shoqërinë kosovare.

Pse banorët vendas hezitojnë të shkojnë në polici?

Elshani ia atribuon këtë presionit – jo nga shoqëria, por nga institucionet serbe.

“Ndodh që në veri të Kosovës, Serbia financon punën e dy sektorëve social: arsimit dhe shëndetësisë. Dhe ne dimë raste kur policët serbë ose familjarët e tyre janë diskriminuar kur aplikojnë në këto institucione, pikërisht për shkak se ata punojnë për policinë e Kosovës”, shpjegon ai.

Kontrolli mbi sferën sociale, së bashku me propagandën, janë mjete që Beogradi mund t’i përdorë për t’i detyruar serbët e Kosovës të ndjekin udhëzimet e tij: fillimisht të injorojnë zgjedhjet, pastaj të kërkojnë rizgjedhje dhe pastaj t’i injorojnë ato gjithashtu.