​Memli Krasniqit i hapet rruga për t’u zgjedhur kryetar i PDK, Çitaku thotë se nuk do të kandidojë për kryetare të PDK-së

Vlora Çitaku ka konfirmuar se nuk do të jetë kandidate për kryetare të PDK-së në konventën që pritet të mbahet këtë të shtunë.

Ish-ambasadorja Çitaku ka thënë se nuk i frikësohet garës, por mos kandidimin e arsyeton me shkëputjen prej vitesh me strukturat e PDK-së.

Ajo ka thënë se Kosovës nuk i duhen burra dhe gra të forta, por institucione të forta dhe kredibile.

“Jo nuk do të jem kandidatë për kryetare të PDK-së. Jo pse i frikësohem garës, e as pse entuziazmohem nga sondazhet, ndonëse është ndjenjë e mirë kur pëlqehesh nga publiku, por nuk i marr ato premisa. PDK-së nuk i duhet Mesia. Kosova nuk ka nevojë për gra dhe burra të fortë, por për institucione të forta. Dhe nuk e kam menduar gjatë a duhet të garoj, apo jo. Por tani erdhi momenti që të deklarohem kështu dhe për të qenë korrekte për të gjithë ata që do t’i hyjnë garës”, tha ajo në Rubikon.

Megjithatë Çitaku ka thënë se nuk e përjashton që në konventat tjera të kandidojë për të parën e PDK-së.

Ndërsa në konventën e së shtunës synon të rikycet në strukturat e PDK-së.

“Unë kam qenë plotësisht e shkëputur nga strukturat e PDK-së dhe mu ka dukur pak arrogante që të imponohem si alternativë në një kohë unë nuk jam pjesë e strukturave të PDK-së”, tha ajo.

Kjo “jo” e Çitakut i hap rrugë Memli Krasniqit që të ngjitet në krye të PDK-së, pasi ai shihet si pretendenti kryesor në konventën e 3 korrikut. /Ballkani.info/