​Likaj falënderon deputetët për miratimin e statuteve të katër universiteteve në Kosovë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar statutet e katër universiteteve në Kosovë. Me 61 vota pro të zgjedhurit e popullit miratuan statutin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, statutit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, statutit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, dhe statutit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj ka thënë se ky votim ka hapur rrugën e sigurimit të pavarësisë së plotë të këtyre Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Ky është statusi i tij i plotë:

I lumtur të ndaj me ju lajmin se Kuvendi i Republikës së Kosovës sot votoi statutet e përhershme të katër universiteteve publike: Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Ferizajit, “Isa Boletini” të Mitrovicës, “Kadri Zeka” të Gjilanit dhe “Fehmi Agani” të Gjakovës.

Falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, kryetaren dhe anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, rektorët dhe menaxhmentin e universiteteve, stafin e MASh dhe të gjithë ekspertët e angazhuar në këtë proces.

Ky votim ka hapur rrugën e sigurimit të pavarësisë së plotë të këtyre Institucioneve të Arsimit të Lartë. Qëllimi kryesor është që këto universitete publike të kenë statute të përhershme që i mundësojnë të operojnë si njësi të pavarura buxhetore dhe të përshtasin rregulloret, poashtu vendimmarrja e llogaridhënia të jetë e bazuar në këto statute dhe Ligjin e Arsimit të Lartë.

Të gjitha këto universitete publike, duhet të punojnë në ngritjen e cilësisë, konkurrueshmërisë, punësueshmërisë dhe ndërkombëtarizimit.