​Koeman për Messin: Ai bënte gjëra jo normale

Trajneri i Barcelonës Ronald Koeman ka folur edhe njëherë për kohën sa e kishte Lionel Messin në skuadër duke deklaruar se argjentinasi ishte një hap para të gjithëve.

Holandezi ka shtuar se në Barcelonë kishte shumë lojtarë të mirë rreth Messit por se ai ishte që e bënte ndryshimin.

Ylli argjentinas u bë njëri nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave në “Camp Nou” por që verën e kaluar u largua drejt Paris-Saint-Germain pasi kontrata me klubin katalanas preku fundin e saj.

“Lionel Messi ka ndryshuar gjithçka. Ai ishte aq i mirë dhe fitoi shumë trofe,” tha ai Koeman “Voetbal International”.

“Sigurisht që ai kishte lojtarë të mirë rreth tij, por ai bëri ndryshimin. Të gjithë dukeshin më të mirë se që ishin për shkak të tij. Kjo nuk është një kritikë, por një vëzhgim.”

Koeman gjithashtu tha se ishte kënaqësi e madhe ta kesh rastin ta shohësh Messin çdo ditë në stërvitje.

“E dija se sa i mirë është ai, por është akoma më bukur ta shohësh nga afër çdo ditë. Gjithçka që do të doje të mësoje nga një futbollist, në njohjen e situatave, në marrjen e topit nën presion, në shpejtësinë e topit, në përfundimin; me Messin gjithçka është një 10. Jo normale, jo normale!”, tha ai.

Ndryshe, Barça nuk e ka nisur sezonin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme duke arritur dy fitore dhe dy barazime në katër ndeshjet e para.