​Gecaj e ‘ngucë’ VV-në: Për tango nevojiten dy veta

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Bajram Gecaj është deklaruar me rastin e 30-vjetorit të formimit të kësaj partie.

Ai me këtë rast nuk ka lënë pa përmendur mos arritjen e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.

Madje, ai ka porositur këtë të fundit ‘se për tango nevojiten dy veta”, duke lënë të nënkuptohet se pa pajtimin e të dyja partive nuk do të  mund të ketë arritje të marrëveshjes, e cila po vonon për shkak të postit të presidentit.

Gecaj po ashtu porosit partnerin e mundshëm të koalicionit se ndryshimet e paralajmëruara në qeverisjen VV-LDK nuk do të ndodhin nëse paraprakisht këto dy parti dështojnë të krijojnë  mirëbesim reciprok.

Postimi i plotë:

1 … 2 … 3 … DEKADA … të ‘vallëzojmë’ drejt epokës së re!

Slogane të përafërta me porosi për ndryshime kishim dëgjuar nga pothuaj të gjitha partitë politike që garuan në zgjedhjet e fundit, por është tanimë e qartë si kristali se populli më së shumti u besoi dy partive: Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), deri tani të paprovuar në nivelin qendror të qeverisjes; dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila përgjatë 30 viteve të fundit ishte shtylla kryesore e të gjitha proceseve pozitive – ishte balancuese dhe civilizuese.

Dhe ky besim, aq shumë i baraspeshuar elektoral, do të duhej patjetër të shndërrohej në një udhërrëfyes për ndërtimin e një qeverisjeje, ngjashëm të baraspeshuar, drejt ndryshimeve të premtuara nga të dyja anët e medaljes.

Vetëm ashtu do të mund të arsyetonim besimin e dhënë për të rikthyer shpresën në vendin tonë dhe në institucionet e ndërtuara me aq mund, djersë e gjak.

Ndryshimet nuk do të vijnë asnjëherë nëse paraprakisht nuk arrijmë të ndërtojmë mirëbesimin në njëri-tjetrin, por as nëse në qeverisje hyjmë të pabarabartë, përkundër barabarësisë aq të mprehtë që na u dhurua nga vota popullore.

Pasi që ‘nevojiten dy veta për një tango’, t’i bashkojmë forcat e të ‘vallëzojmë’ drejt një epoke krejtësisht të re në jetët dhe në skenën tonë politike. Sistemi ynë republikan-parlamentar, i një demokracie konsensuale (të ujdisë së drejtë), njeh vetëm një tip zgjedhjesh të nivelit të përgjithshëm, nga i cili burojnë të gjitha institucionet relevante qendrore.

Ne zgjedhim 120 deputetët, të cilët, rrjedhimisht, zgjedhin (emërojnë) presidentin, krye-parlamentarin, kryeministrin, e kështu më radhë.

LDK është testuar në vazhdimësi se nuk qëndron asnjëherë as kokëfortë e as e ngurtë kur është në pyetje interesi kombëtar e shtetëror – interes i tillë në këtë kohë mjaft të ndjeshme besojmë fuqishëm të jetë balancimi dhe kundërpeshimi real i pushtetit si dhe eliminimi i plotë i çfarëdo politike apo logjike dominuese, e që rrjedhimisht do të rrezikonin si shkronjën ashtu dhe frymën e Kushtetutës sonë.

Sot, në 30-vjetorin tonë jubilar, LDK zotohet të jetë e gatshme, e përgatitur dhe e dedikuar si kurdoherë të sfidohet për një ndryshim përmbajtjesor e kualitativ – Urime Ditëlindja LDK!