Homazhe

Kurti përkujtoi me homazhe të vrarët e masakrës në Nabërgjan të Pejës

Në shënim të 25-vjetorit të masakrës në Nabërgjan të Komunës së Pejës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta, në nderim dhe kujtim të të vrarëve nga forcat armike serbe.

“Kriminelët serbë vranë shumë shqiptarë, mirëpo ata nuk arritën ta shfarosin popullin tonë, gjenocidi  tyre dështoi sepse ne jemi këtu dhe ata ikën”, deklaroi Kurti.

Nga zyra e kryeministrit tutje theksojnë se në nderim të 17 të vrarëve të datës 1 të muajit maj të masakrës në Nabërgjan, Kurti theksoi se nga data 1 deri me 18 maj janë vrarë 31 shqiptarë, duke mos kursyer që nga fëmijët e moshës 13 vjeçe deri te të moshuarit e moshës 95-vjeçare.

“Këta civilë të paarmatosur e të pambrojtur, gjendeshin përballë një makinerie ushtarake policore e cila po marshonte me projektin gjenocidal të ideuar, të planifikuar në Beograd nga regjimi i Millosheviqit, për shfarosjen e popullit shqiptar. Ata u vranë për shkak se ishin shqiptarë dhe donin të jetojnë të lirë në tokën e tyre”, tha i pari i qeverisë.

Tutje, Kurti përmendi edhe faktin që na nevojitet drejtësia sepse për 31 të vrarët në Nabërgjan, nga 1 deri më 18 maj 1999, sot e kësaj dite jo vetëm që nuk ka asnjë të dënuar, asnjë të gjykuar, por nuk ka asnjë të akuzuar, dhe për këtë fakt, siç u shpreh kryeministri na duhet drejtësia që të jemi të qetë, të jemi në paqe dhe të mbyllen plagët.