QKUK

Plagosja në Podujevë, patrulla të shumta të Policisë në oborrin e Emergjencës në QKUK

Policia e Kosovës ka bastisur veturën e një nga familjarët e të plagosurve në Lupç të Podujevës.

Gazetarja e T7, Arianitë Zhegrova, që po qëndron në QKUK raporton se dyshohet që konflikti ka nisur mes dy familjeve, derisa ende nuk dihet motivi.

Ajo thotë se ka shumë policë në oborrin e Emergjencës.

“Janë rreth pesë patrulla”, tha ajo.

Tre persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Lupç të Podujevës, derisa një tjetër ka marrë lëndime pasi është sulmuar me thikë.

Rastin për Ballkani.info e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.

“Sot rreth orës 16:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në fshatin Lupç të Podujevës. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast janë plagosur nga arma e zjarrit tre persona, ndërsa një person ka pësuar lëndime nga arma e ftohtë (thikë). Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë Ahmeti.