​AAK takim me Shoqatën e Gastronomëve: Deri në verë të ketë hapje totale të vendit

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka takuar pasditen e sotme përfaqësues të Shoqatës së Gastronomëve. Nga aty u kërkua që të bëhet hapja e lokaleve, meqë mbyllja nuk është zgjidhje për menaxhimin e pandemisë. Po ashtu, gastronomët kanë thënë se janë në pikën më kritike aktualisht, ndaj kanë kërkuar që deri verës të bëhet hapje totale.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se në këtë takim kanë dëgjuar kërkesat e gastronomëve. Ai ka thënë se janë katër çështje të rëndësishme që qeveria duhet të ketë parasysh.

“E para, qeveria, ministri Vitia, kryeministri Kurti të punojnë me gjithë kapacitetin e mundshëm, me gjithë miqtë tonë vendor dhe ndërkombëtar në vaksinimin masiv. E dyta, është më se e rëndësishme që të ndodhë rritja e kapaciteteve spitalore, për shkak se sot ishte një ditë jo e lehtë. E treta, që respektimi i masave, manuali për respektimin e masave si tek gastronomet, si tek sektori privat të jetë i inspektuar në të gjitha format. Jemi kundër mbylljes si Grup Parlamentar, ju e dini që ne gjithmonë kemi pasur qasje që të shkojmë në këto vija, por jo në mbyllje”, ka thënë Tahiri.

Ai pas takimit, i shoqëruar edhe nga Palë Lekaj dhe Shemsedin Dreshaj, ka shtuar se menaxhimi i pandemisë nuk bëhet përmes karantinimit dhe përmes mbylljes.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi ka kërkuar që deri në verë të bëhet hapje totale e vendit.

 “Jemi në pikën më kritike aktualisht të gastronomisë. Jemi në mbyllje, jemi duke shkuar drejt hapjes dhe po shpresojmë që deri në verë të shkojmë drejt një hapje totale. Ne në një verë e kemi humbur remitencën e vendit tonë të diasporës, këtë rast nuk duhet të humbim më. Këtu edhe u dakorduam së bashku me GP të AAK-së që duhet të kemi kërkesë drejt hapjes për verë. Sepse, nuk do të bëjmë asgjë tjetër përveç se kemi me eksportua paranë në rajon edhe kemi me importuar virusin”, ka shtuar ai.

Në takimin e djeshëm të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe kryetarëve të komunave të Kosovës, është marrë vendim që të rishikohen masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Kështu, do të hapet gastronomia dhe qendrat tregtare.