ZYRTARE: Rashica mungon disa javë, rrezikon seriozisht ndeshjet me Kosovën

Werder Bremen ka njoftuar se Milot Rashica do të mungojë disa javë për shkak të lëndimit të fundit. Me këtë rast, ylli vushtrrias rrezikon seriozisht të mungojë në dy ndeshjet e Kosovës në shtator me Republikën Çeke dhe Anglinë

Milot Rashica e ka marrë një lajm të keq nga stafi mjekësor i Werder Bremenit.

Në fakt, klubi gjerman ka njoftuar sot përmes uebfaqes së vetë zyrtare se ylli kosovar do të mungojë disa javë, duke mos e përcaktuar datën e saktë të rikthimit, për shkak të tërheqjes muskulore që e pësoi në kofshën e këmbës në ndeshjen e fundjavës ndaj Fortuna Dusseldorfit.

“Lajme të këqija për Werder Bremenin. Milot Rashica, i lënduar në ndeshjen me Fortuna Dusseldorfin nuk do të jetë në dispozicion për disa javë, shkaku i tërheqjes muskulore”, ka njoftuar klubi gjerman.

Ky lëndim rrezikon ta lë 23 vjeçarin edhe jashtë Përfaqësueses së Kosovës për dy ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian 2020 ndaj Republikës Çeke më 7 shtator dhe ndaj Anglisë më 10 të muajit që vjen.

Pa dyshim, Rashica do të ishte një humbje e madhe për “Dardanët”, pasi dihet se për momentin ai është lojtari më i mirë i Verdhekaltërve.

Gjithashtu, trajneri Bernard Challandes nuk do të mundë të llogarisë në këto dy ndeshje të rëndësishme as në dy yjet tjerë, Arbër Zeneli e Hekuran Kryeziu, të cilët do të mungojnë gjatë.

loading…