Përballja në EFL Cup

Zola i lumtur me mundësinë për të iu revanshuar Tottenhamit për humbjen në Premier League

Ndihmës trajneri i Maurizio Sarrit te Chelsea, Gianfranco Zola, insiston se ballafaqimi i gjysmëfinales në EFL Cup kundër Tottenhamit do të jetë i ndryshëm nga ai Premier Leagues, takim në të cilën “The Blues” u mposhtën 3-1.

Pasi që eliminuan mbrëmë Bournemouthin, Zola synon t’i revanshohet rivalëve të qytetit, Tottenhamit, për sipas tij leksionin e futbollit e dhuruar një muaj më parë në “Wembley”, teksa përballja gjysmëfinale do të zhvillohet në muajin janar.

“Jemi të lumtur për shkak se pak kohë më parë ata na dhuruan një leksion futbolli ndërsa mezi presim t’i sfidojmë sërish. Jam i bindur se do të jetë një tjetër ndeshje. Ka shumë lojtarë me krenari që dëshirojnë t’i sigurojnë të gjithë se kualitetet e tyre janë të ndryshme me ato të treguara në atë humbje. Shumë lojtarë ishin poshtë performancave të tyre gjë që i lëndoi ata”, tha Zola.

Goli i realizuar nga Hazard ndaj Bournemouthit ishte i 99-ti me fanellën e Chelseat, gjersa Zola shpreson që ylli belg të vazhdojë për një kohë të gjatë në “Stamford Bridge”.

“Ai është një lojtar që i ka dhënë klubit shumë gëzime. Dhe kur e mendojmë që është 27 vjeçar, mund të arrijë edhe më shumë nëse vendos të qëndrojë. Shpresoj se do të mbërrijë edhe shumë suksese tjera për klubin”, përmbylli fjalët e tij Zola.