Zhegrova vazhdon të zërë vend si titullar te Baseli, nga minuta e parë edhe ndaj Luzernit

Edon Zhegrova do ta gëzojë statusin e titullarit për herë të pestë, të tretën radhazi, në Superligën e Zvicrës, pasi është në formacionin startues të Baselit për ndeshjen e sotme kundër Luzernit.

Baseli e viziton stadiumin Swissporarena për t’u përballur me Luzernin, duke e ditur se fitorja do ta dërgonte në pozitën e parë, të paktën përkohësisht derisa lideri Young Boys ta zhvillojë takimin e javës së 18-të, raporton Gazeta Express.

Anësori i Kombëtares së Kosovës Zhegrova, i cili u zgjodh lojtari i muajit nëntor në ligën elitare zvicerane, e ka merituar përsëri një vend në formacionin startues kundër Luzernit në krizë.

20-vjeçari, që i ka shënuar dy gola dhe dy asiste deri tani në ligë, luan për herë të tretë radhazi titullar për Baselin në ligë.

Yllit nga Prishtina është vetëm i huazuar në Basel nga Genku deri në fund të sezonit aktual dhe do t’i duhet ta bindë klubin që ta mbajë.

Zhegrova është në rrugë të mirë për ta bindur Baselin ta aktivizojë klauzolën për blerjen e tij për 1.5 milionë euro në verë.