Tashmë kur po flitet për zgjedhje të reja në Serbi, data e mbajtjes e të cilave pritet të dihet deri nga mes i tetorit, fushata politike atje veçse ka nisur dhe nuk do shumë mend që nga temat kyçe e cila do të shfrytëzohet për të shënuar poena politike do të jetë Kosova.

Deutsche Welle (shërbimi në gjuhën serbe) i ka kushtuar një artikull ngjarjeve të fundit atje, ku Bojan Klaçar nga Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSiD) thotë se “Kosova do të jetë një temë e rëndësishme në fushatën zgjedhore”.

“Është temë në secilën fushatë në mënyra të ndryshme, dhe tash do të jetë edhe më e rëndësishme për shkak të përshkalëzimit. Kosova normalisht është një ndër tre temat më të rëndësishme në çdo fushatë”.

Gazetari serb, Nedimo Sejdinoviq, mendon ndryshe. Duke folur për DW-në, ai thotë se SNS-ja e Vuçiqit dhe SPS-ja e Daçiqit “kanë licencën e patriotizmit dhe nuk frikësohet se mund ta humbasin”.

“Ka parti të djathta nga opozita të cilat mund të shënojnë ndonjë pikë me temën e Kosovës, por nuk besoj se qeveria serbe do ta shtyjë këtë çështje”, ka thënë ai.