Video

Xi, Putin zotohen të thellojnë lidhjet strategjike mes të dy vendeve

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ndodhet për vizitë dy ditore në Pekin ku nënshkroi me Presidentin kinez Xi Jinping një deklaratë për thellimin e partneritetit gjithëpërfshirës strategjik në 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Kina është kthyer në partnerin kryesor tregtar dhe ushtarak të Rusisë pasi perëndimi i vendosi Moskës sanksione të ashpra për shkak të agresionit në Ukrainë. Njohës të të dyja vendeve thonë se me këtë vizitë po konfirmohet se Moska, në përpjekje për të shmangur sanksionet e perëndimit, është kthyer në partnerin me rëndësinë më të vogël në lidhjet Kinë – Rusi.

Presidenti kinez Xi Jinping vlerësoi marrëdhëniet midis Kinës dhe Rusisë dhe u zotua të thellojë partneritetin mes tyre ndërsa priti presidentin rus Vladimir Putin për bisedime në Pekin.

“Ne nënshkruam një deklaratë të përbashkët për thellimin e partneritetit gjithëpërfshirës strategjik në mes të dy vendeve me rastin e 75 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike”, tha presidenti Xi.

Vizita e Presidentit rus tek një nga aleatët e tij më të fortë vjen ndërsa forcat e vendit të tij po bëjnë një ofensivë në rajonin e Kharkivit në Ukrainën verilindore.

“Sigurisht që do ta informoj Presidentin e Kinës për situatën rreth krizës në Ukrainë. Ne u jemi mirënjohës miqve dhe kolegëve kinezë për iniciativat që kanë bërë për zgjidhjen e këtij problemi”, tha presidenti Putin.

Ofensiva ruse në veri të rajonit Kharkiv është ngadalësuar gjatë 24 orëve të fundit. Sipas Institutit Amerikan për Studimin e Luftës, natyra e ofensivës në këtë zonë tregon se trupat ruse po përpiqen të mos depërtojnë më thellë, por të krijojnë një distancë pranë kufirit ndërkombëtar.

Pekini thotë se mban qëndrim neutral ndaj këtij konflikti, por i ka mbështetur pretendimet e Moskës se Rusia e nisi sulmin ndaj Ukrainës pasi u provokua nga perëndimi. Kina gjithashtu vazhdon të furnizojë me pajisje industrinë ruse të prodhimit të armëve.

Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, Pekini është bërë partneri më i besueshëm ekonomik dhe diplomatik i Moskës pasi vendet perëndimore kanë vendosur sanksione të rrepta ekonomike në përgjigje të sulmit rus në Ukrainë.

Sipas Drejtorit të Qendrës ‘Wilson’ në Institutin Kennan, William Pomerantz Kina po e ndihmon Rusinë në shumë mënyra, por kjo vizitë sipas tij, tregon edhe një gjë tjetër gjë rëndësi.

“Mendoj se Putini po tregon se Rusia është partneri më i vogël në marrëdhëniet Kinë-Rusi dhe ai do të përpiqet të sigurohet që Kina do ta mbështesë Rusinë në çdo lloj negociate ndërkombëtare ose në thelb të gjejë një mënyrë për të kapërcyer sanksionet e Shteteve të Bashkuara”, thotë zoti Pomerantz.

Ish Ambasadori amerikan në Rusi, John Tefft thotë se edhe në Moskë është krijuar përshtypja se Moska është partneri më i vogël në lidhjet me Kinën dhe se kjo bie në kundërshtim me atë që vetë Presidenti rus thotë kur flet se si dëshiron që Rusia të rifitojë statusin e një fuqie të madhe.

“Statusi i fuqisë së madhe nuk është në përputhje me të qenit një shtet vasal”, thotë zoti Tafft.

Të dy eskpertët thonë se Kina gjithashtu mundohet të tregohet e kujdesshme që të mos përballet vetë me sanksione.

“Presidenti Xi po përpiqet të balancojë këtë mbështetje për Rusinë dhe përpjekjen për të promovuar një model më autoritar në botë përballë nevojës për të shitur mallrat kineze në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, që janë blerësit e mëdhenj të pajisjeve kineze”, thotë zoti Tafft.

Kina propozoi një plan paqeje në vitin 2023 për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por ai u refuzua nga Kievi dhe perëndimi pasi nuk përfshinte largimin e trupave ruse nga pjesët e Ukrainës që janë marrë nën kontroll nga forcat ruse.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka propozuar një plan paqeje dhe Zvicra do të jetë vendi organizator i bisedimeve muajin e ardhshëm, por Rusia nuk është ftuar në takim.

Udhëtimi i Presidentit Putin në Kinë është vizita e tij e parë jashtë vendit që kur ai u rizgjodh në mars për një mandat të pestë në detyrë. Kjo është vizita e tij e dytë në Kinë në gjashtë muaj.

Disa materiale në këtë raport u morën nga agjencitë e lajmeve ‘Associated Press’, ‘Agence France-Presse’ dhe ‘Reuters’. Gazetari i shërbimit Mandarin të Zërit të Amerikës, John Xie dhe gazetarja e shërbimit ukrainas të Zërit të Amerikës, Tatiana Vorozhko gjithashtu kontribuan në këtë raport. /VOA