Granit Xhaka

Xhaka i zhgënjyer me kualifikueset për Evropian: Është dashur t’i fitojë të gjitha ndeshjet

“Synimi është dhjetë fitore nga dhjetë ndeshje”, kishte thënë kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, në fillim të ciklit eliminator “Euro 2024”.

Kjo deklaratë u përcoll me tri fitore dominuese ndaj Bjellorusisë, Izraelit e Andorrës, si dhe një paraqitje fantastike në 75 minutat e parë kundër Rumanisë. Pastaj, kjo ndeshje dhe të tjerat në këto eliminatore u kthyen përmbys.

Xhaka ka qëndruar pranë deklaratës së tij që e ka dhënë në fillim të kualifikimeve, ndonëse Zvicra ishte pa fitore në katër ndeshjet e fundit.

“Xherdani e ka mendimin e tij, unë e kam mendimin tim dhe 25 lojtarët e tjerë kanë mendimin e tyre. Ne kemi marrë pjesë në gjashtë turnetë e fundit dhe është normale të kesh synime të madhe. Nëse dikush nuk ka synime të tilla, atëherë është punë e tij. Por, unë i kam pasur këto pritje prej ekipit dhe kështu do të mbetet edhe në të ardhmen”, është shprehur Xhaka.

 “Të gjithë e kanë parë si kemi luajtur. Nuk është për shkak të përkushtimit apo vullnetit, por për shkak se nuk kemi shënuar gola dhe jemi ndëshkuar me çdo goditje në portë. Nëse do t’i kishim shfrytëzuar rastet e pastra që i kemi lëshuar, do të flisnim për një kualifikim direkt”, insistoi Xhaka, i cili dha përgjigje të shkurtër nëse ishte penduar për deklaratën e tij për dhjetë fitore në po aq ndeshje në këto kualifikime. “Jo”.